Lulzim Basha, shprehet se aleanca kundër SPAK është në veprim me kohë të plotë. Në një reagim në facebook, Basha i referohet daljeve për mediat të Sli Berishës dhe Fatmir Xhafajt ditën e sotme, që sipas tij janë të koordinuara ku njëri sulmonte hapur institucionin e drejtësisë, ndërsa tjetri kërkonte reformimin e tij, çka synojnë kontrollin e saj.

Basha gjithashtu shkruan se pasi amnistuan “bishtat” e korrupsionit, tani po përpiqen të amnistojnë “kokat” e pandëshkuara të 34 viteve të fundit, duke theksuar se frika nga rënia e sistemeve të kalbura ka nxitur një krizë artificiale për të mbuluar korrupsionin.

Ai më tej shprehet se muaj më parë u faktua denoncimi i demokratëve euroatlantikë për komplot ndaj drejtësisë të Edi Ramës dhe Sali Berishës. Për këtë kërkon nga institucionet e drejtësisë të mos shantazhohen dhe të veprojnë sipas misionit të tyre historik. Basha theksoi se shqiptarët meritojnë një sistem drejtësie që garanton mirëqeverisje dhe një jetë më të mirë për familjet e tyre.

Postimi i plotë i Bashës:

Aleanca kundër SPAK është në veprim me kohë të plotë. Sot pamë dy shfaqje të koordinuara: në njërën sulmohej hapur SPAK dhe shantazhohej drejtësia, ndërsa në tjetrën, me një gjuhë më të moderuar, kërkohej reformimi i saj, që në realitet do të thotë vendosje nën kontroll.

Pasi amnistuan “bishtat” e korrupsionit, tani po përgatiten të amnistojnë “kokat” e pandëshkuara të 34 viteve të fundit. Frika nga një fund i padenjë për një sistem të kalbur në zemër, sidomos pas rënies së dy prej tre shtyllave të “Trekëndëshit të Bermudës”, ka intensifikuar përpjekjet për të nxitur një krizë të re artificiale, objektivi final i së cilës është një amnisti e re për të mbuluar korrupsionin e kaluar.

Shfaqja e mosbindjes civile, që është risjellë në skenë, ka vetëm një qëllim: të godasë drejtësinë për të shpëtuar ata që duan të mbajnë peng Shqipërinë.

Muaj më parë u faktua denoncimi ynë për komplotin kundër SPAK dhe GJKKO, kur me votën e Ramës dhe Berishës u liruan të korruptuarit, ndërsa opozitarët mbetën në burg, u vërtetua plotësisht.

Bashkimi i votave vijoi më pas për mbylljen e listave, në vend që të kërkohej një Reformë e plotë Zgjedhore.

Tani vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta për të vënë drejtësinë nën kontroll dhe për të amnistuar ata që, nga majat më të larta të shtetit shqiptar, kanë abuzuar me besimin, pronat dhe taksat e qytetarëve.

Pas marrëveshjeve për amnistinë, vulën dhe listat, vijojnë përpjekjet e Sali Berishës dhe Edi Ramës për të kontrolluar drejtësinë dhe për të shpëtuar veten nga përgjegjësia.

Kjo është një lojë e ndyrë për të mbajtur në fuqi pandëshkueshmërinë dhe për të mbajtur peng Shqipërinë.

Thirrja ime për drejtësinë, në të gjitha nivelet e saj, është të mos shantazhohet dhe të mos bjerë pre e presionit politik. Misioni i saj historik është të bëjë drejtësi, të çojë para ligjit politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, që kanë përdhosur besimin dhe vullnetin e shqiptarëve dhe jo të garantojë pushtetin e tyre.

Shqiptarët meritojnë një drejtësi që garanton mirëqeverisje dhe një jetë më të mirë për familjet shqiptare. Shqipëria meriton më shumë!

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb