Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) Altin Dumani së bashku me 4 prokurorë të institucionit që ai drejton kanë udhëtuar drejt Brazilit. Burimet bëjnë me dije se në fokus të kësaj vizite është hetimi i çështjeve të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian, ku të përfshirë janë edhe shqiptarët.
Mësohet se Altin Dumani shoqërohet nga prokurorët Arben Kraja, Adnand Xholi, Elida Kaçkini dhe Vladimir Mara. Gjatë qëndrimit në Brazil, prokurorët e SPAK pritet të zhvillojnë takime me drejtues të prokurorisë së Brazilit, ku qëllimi është ngritja e skuadrave të përbashkëta hetimore për rastet kur në trafikun e kokainës konstatohet se janë të implikuar shqiptarët.
Përpos bashkëpunimit të autorieteve mes dy vendeve, prokurorët e SPAK mësohet se do të marrin pjesë edhe në një konferencë ndërkombëtare.
Kapja e 69 kg kokainë zbërtheu rrjetin e shqiptarëve
Rasti i parë ku SPAK ka interes për të pasur bashkëpunim me autoritet Braziliane, është ai i zhvilluar në 30 maj 2023.
Në këtë datë SPAK ka pasur një praktikë hetimore me autoritetet e Brazilit, lidhur me trafikun e 69 kg kokainë të sekuestruar në datën 18 Maj 2021 në anijen “NSC Atros”.
Nisja e kësaj sasie droge do të realizohej nga porti “Sao Paolo” Brazil dhe destinacioni përfundimtar, ka qenë porti i Valencias në Spanjë.
Mësohet se në 25 shtator 2023, kjo letërporosi është ekzekutuar për SPAK-un në Shqipëri, nga autoritet e prokurorisë së Brazilit dhe si pasojë e hetimeve të kryera për episodin e trafikimit të 69 kg kokainë, SPAK ka proceduar shqiptarët, Ismail Zeneli me nofkën “Dajloki”, Eralbi Breçani me nofkën “Boli” ose “Toni”, një shtetas tjetër B.M dhe Ergys Dashi me nofkën “Elb-Nisan”.
Por për shkak se Ergys Dashi është vrarë në Brazil, hetimi ndaj tij është ndërprerë.
Pakot e kokainës me logon e Futboll Club Elbasani
Ndërsa një rast tjetër ku drejtuesit e SPAK, kanë shfaqur mjaft interes për të shkuar në Brazil, lidhet dhe me episodin e ndodhur në 2 Shtator 2019 në Gefron të Brazilit, ku u sekuestruan brenda një kontinjeri ngarkesa prej 617 kg kokainë.
Të gjitha pakot e kokainës ishin të identifikuara me logon e Futboll Club Elbasanit, duke ngritur dyshime të forta se pronarët e drogës ishin nga Shqipëri dhe pikërisht duke simbolizuar qytetin e Elbasanit.
Ndërkohë për këtë episod të trafikut të kokainës, SPAK ka marë dhe dëshminë e bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Erjon Alibej, i cili i ka treguar prokurorëve se sasia prej 617 kg kokainë e kapur në Brazil, i përket një grupi kriminal në qytetin e Elbasanit.
Për këto dy episode dhe ndërveprimin e ndërsjelltë mes dy prokurorive do jetë fokusi i takimit të delegacionit të SPAK që ka vizituar Brazilin.
(BalkanWeb)