Grigels Muçollari, anëtar i Kryesisë së PD, duke folur në emisionin “Open” në News24, lidhur me mbetjet që janë rikthyer në Shqipëri dhe që dyshohet se janë të rrezikshme, u shpreh se nga të dhënat e para dyshojmë se kemi të bëjmë me një trafik të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme.

Muçollari tha se kemi 4 institucione të Qeverisë që treguan se nuk ishin në dijeni se çfarë mbetjesh ishin, më pas u tentua të fshihej, më pas kemi deklarata kontradiktore dhe u tha se nuk do të pranohen në Port. Por sipas Muçollarit tashmë 2100 tonë mbetje janë në Portin e Durrësit.

“Kush po e shkakton panikun? Mungesa e transparencës. Do të dyshoja shumë që Prokuroria e Durrësit do të kishte vullnetin që të çonte deri në fund hetimin që mund të rezultojë edhe me përfshirjen apo përgjegjësinë e Kreut të Qeverisë.

Kemi rastin e 115 kontenierëve që kanë shkuar në Kinë dhe pas analizave kanë rezultuar mbetje të rrezikshme.

Ku janë prodhuar këto mbetje? A vijnë nga jashtë apo jo, ku janë depozituar këto mbetje? Këto mbetje janë mbajtur në Port në mënyrë të hapur dhe nëse rezultojnë se janë me përbërje të rrezikshme, ka përmbajtje të arsenikut apo metaleve të rënda, atëherë dëmi është shumë i madh”, tha Muçollari.

Ai tha se e qartë është se Qeveria ka dhënë deklarata kontradiktore për rastin, që në Kinë kanë shkuar 115 kontenierë dhe pas analizave kanë rezultuar me mbetje të rrezikshme, ndërkohë që nuk u është thënë kjo gjë.

Muçollari u shpreh se mund të bëheshin analiza të vendit ku ishin akomoduar mbetjet. “Pse nuk u bënë këto analiza? Ka shumë paqartësi lidhur me ngjarjen, ka dritëhije për të cilat duhen sqarime”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb