KORÇË – Kishte kontrabanduar nga Greqia 1637 kuti me ilaçe, për t’i shitur në farmacinë që administronte si biznes familjar, arrestohet B.M, 39 vjeç, banues në Bilisht.
Mësohet se është proceduar penalisht edhe bashkëshortja e të arrestuarit, farmaciste në këtë biznes, R. Z., 36 vjeçe. Gjithashtu, është proceduar penalisht dhe babai i saj, pasi në banesë iu gjetën kutitë me ilaçe dhe 83 steka me paketa me cigare, gjithashtu pa pullë fiskale.
Policia njofton se ka sekuestruar mallrat kontrabandë.
Detajet e policisë
Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, se në një farmaci në Bilisht, shiteshin medikamente të kontrabanduara nga Greqia, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare finalizoi operacionin policor të koduar “Relations”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi B. M., 39 vjeç, si dhe u proceduan në gjendje të lirë bashkëshortja dhe vjehërri i tij, shtetasit R. Z., 36 vjeçe dhe N. Z., 64 vjeç, të tre banues në Bilisht.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi B. M. kontrabandonte ilaçe nga Greqia, për t’i shitur në biznesin e familjes, farmacinë ku punonte bashkëshortja e tij. Nga kontrollet në banesën e shtetasit N. Z., përveç 1637 kutive me ilaçe, pa pullë fiskale, u gjetën dhe 83 steka me paketa me cigare, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse dhe ato nuk ishin të pajisura me pullë fiskale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)