FIER

Kryeministri Edi Rama iu premtoi pensionistëve sot bonus të përhershëm dhe një rritje të drejtpërdrejt të pensionit të lidhur me rritjen ekonomike.

Rama tha nga Fieri se po përgatitemi për një bonus tjetër të ri, të përvitshëm dhe të jetë më i lartë se ky.

“Të flasë një pensionist është në të drejtën e tij, por kur dëgjoj të flasin ata që i thoshin pensionistëve do t’ju japim një gjel për Vitin e Ri që ishte në fakt një gjysmagjel është për të vënë duart në kokë. Ne e rritëm bonusin dhe e bëmë 5 mijë lekë të reja për çdo pensionist, jo një bonus për gjyshin dhe gjyshen bashkë. Tani po përgatitemi për një bonus tjetër të ri, të përvitshëm dhe të jetë më i lartë se ky. Ky është hapi i parë dhe do jetë i menjëhershëm dhe do jetë i përhershëm. Jo bonus po e bëjmë këtë vit dhe shikojmë vitin tjetër. Është një fond që do ta lëmë mënjanë në çdo buxhet për pensionistët”, tha Rama.

Ai deklaroi më tej se po bëhen projeksionet pë rritje graduale të pensioneve dhe masa e tretë, lidhja me rritjen ekonomike përtej parashikimeve.

“E dyta po bëjmë dhe projeksionet për të filluar një rritje graduale të pensioneve brenda mandatit të ardhshëm. E treta jemi duke punuar dhe për një tjetër masë që do të kërkojë një kohë për ta kalibruar, që të lidhim pensionistët me rritjen ekonomike të drejtpërdrejt. Do të thotë që Shqipëria pati 3% rritje ekonomike, 4.6, 2.8, rritja ekonomike vjetore parashikohet dhe mbi bazën e atij parashikimi ndërtohet gjithë buxheti. Do kemi këto investime, do kemi të ardhura nga taksat dhe prandaj do vëmë këtë buxhet. Ne duam që çdo gjë që rritet përtej parashikimeve, në e parashikojmë 3.5, shkon 3.7, në çdo pjesë që rritet mbi parashikimin ne duam ta lidhim me pensionistët. Dhe themi këtë do e marrin pensionistët. Çfarë del mbi parashikimin. Ka disa vende që e kanë bërë dhe ne po i studiojmë. Kjo di ishte qershia mbi torkë në këtë fazë”, deklaroi kryeministri.

Ai theksoi se anëtarësimi në BE dhe rritja e pensioneve janë dy objektivat themelorë të mandatit të katërt.

“Ne duam që çdo gjë që bëjmë sot të qëndrojë aty përherë. E fundit që kam është që dy gjëra janë të rëndësishme, për mua të paktën më shumë se të tjerat për mandatin tonë të katërt. E para anëtarësimi i Shqipërisë në BE, e dyta lehtësimi sa më i madh i frymëmarrjes së pensionistëve që Shqipëria në BE të mos jetë vetëm Shqipëria e të gjithë të tjerëve që janë në moshën aktive me mundësi më të mëdha, por të jetë dhe Shqipëria ku pensionistët e fillojnë ditën më të buzëqeshur. Anëtarësimi në BE dhe rritja e pensioneve janë dy objektivat themelorë të mandatit të katërt”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: