Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi të hënën se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se disa njësite janë vendosur tashmë në rajonin e Kurskut, duke vlerësuar se Pheniani e ka “përshkallëzuar jashtëzakonisht” mbështetjen ushtarake për Rusinë.

Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Koreja e Jugut e kanë akuzuar Korenë e Veriut se ka dërguar mijëra trupa për ta ndihmuar Rusinë në luftën në Ukrainë.

Moska dhe Pheniani fillimisht i hodhën poshtë si “të rrejshme” lajmet për dërgimin e trupave koreanoveriore në Rusi. Megjithatë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk e mohoi se trupat koreanoveriore ndodhen në Rusi dhe një zyrtar koreanoverior tha se një gjë e tillë do të ishte e ligjshme.

Ja çfarë dihet deri tani:

Çfarë është raportuar?

Shërbimi i inteligjencës ushtarake i Ukrainës tha javën e kaluar se njësitet e para të trupave koreanoveriore, të trajnuara në Rusi, janë vendosur tashmë në rajonin e Kurskut, një zonë kufitare ruse ku forcat ukrainase zhvilluan një inkursion të madh në gusht.

Në përgjithësi, rreth 12.000 trupa koreanoveriore, përfshirë 500 oficerë dhe tre gjeneralë, ka kohë që ndodhen në Rusi, dhe stërvitjet po zhvillohen në pesë baza ushtarake, sipas këtij shërbimi.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Koreja e Veriut kishte dërguar më herët oficerë në territoret e pushtuara nga Rusia brenda Ukrainës për ta vlerësuar gjendjen para se të dërgohen trupat.

Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare i Koresë së Jugut (NIS) tha se i gjurmoi rreth 3.000 trupa, përfshirë forca speciale, që ishin transportuar me anije detare ruse drejt Lindjes së Largët të Rusisë për stërvitje dhe përshtatje në bazat ushtarake atje, më gjasë për t’u angazhuar në luftë pastaj.

Gjithashtu, Koreja e Jugut tha se kishte përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës me inteligjencë artificiale për ta identifikuar një delegacion të dhjetëra oficerëve koreanoveriorë që vizituan pjesë të vijës së parë në Ukrainë, për të dhënë udhëzime mbi raketat balistike KN-23, të prodhuara nga Koreja e Veriut, të cilat janë shkrepur ndaj caqeve atje.

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: