Dy ndeshje radhazi në shtëpi nuk sollën asnjë fitore për kampionët në fuqi të Shqipërisë. Egnatia barazoi 0-0 me Teutën dhe 1-1 me Dinamon, duke marrë 2 pikë nga 6 të mundshme. Në të dyja ndeshjet rrogozhinasit luajtën me 10 vetë dhe sigurisht që ky fakt ka ndikuar në rezultatin përfundimtar, por edhe kartonët janë pjesë e lojës.
Ajo që bie në sy, jo vetëm për dy ndeshjet e fundit, ka të bëjë me faktin se Egnatia, ashtu si pjesa më e madhe e skuadrave të Superiores, po has shumë vështirësi për të gjetur golin. Një vit më parë rrogozhinasit ishin ata që bënin diferencën në këtë aspekt, duke krijuar shkëputjen nga të tjerët. Tani situata ndryshon shumë.
Mjafton të përmendim faktin se skuadra e trajnerit Tetova ka shënuar vetëm 2 gola në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit dhe njërin prej tyre me penallti kundër Dinamos me Lushkjen. Me aksion rrogozhinasit kanë shënuar golin e fitores në Korçë ndaj Skënderbeut me autor Vuthajn. Në 3 ndeshjet e tjera ata kanë barazuar 0-0 me Elbasanin dhe Teutën, ndërkohë që janë mundur 0- 2 në fushën e tyre nga Partizani rival.
Një bilanc që tregon qartë deficitin në sulm të kampionëve. Këtë fakt e ka përmendur edhe trajneri edhe trajneri Tetova, i cili ka kërkuar që lojtarët të kenë më shumë besim në vetvete kur shfaqen para portës kundërshtare. Në anën tjetër, Egnatia nuk po gjen profilin e një goleadori për këtë sezon.
Ka një shpërndarje të gjerë të 12 golave që kjo skuadër ka realizuar deri tani, ku shënuesit më të mirë janë Vuthaj, Lushkja dhe Ahmetaj, me nga 2 gola secili. Nëse në fazën mbrojtëse rrogozhinasit kanë më shumë siguri, në atë sulmuese kanë disa gjëra për të sistemuar për të ndryshuar ritmin e javëve të fundit.