Rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane do të ketë një ndikim të fortë tek lufta në Ukrainë dhe tek siguria e Bashkimit Evropian. Ndërsa Donald Trump deklaron se është në gjendje të negociojë një marrëveshje paqeje mes Kievit dhe Moskës brenda 24 orëve, kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë dhe retorika izolacioniste sugjerojnë se evropianëve do t’u duhet të marrin mbi shpatulla peshën e mbështetjes për Ukrainën.
Sven Biscop, drejtor i institutit Egmont nw Bruksel deklaron se: “Nëse Trump fiton zgjedhjet, ai mund t’i thotë Ukrainës: kjo ishte ndihma jonë e fundit. Dhe kjo do të krijonte një problem të madh pasi Evropa nuk është gati të marrë përsipër peshën e konfliktit. Dhe kjo do të thotë se brenda 3, 4, apo 6 muajsh, Ukraina mund ta gjejë veten pa ndihma të mjaftueshme për të vijuar luftën”.
Zëvendës presidentja e Shteteve të Bashkuara, nga ana tjetër, shprehu mbështetjen e saj për Ukrainën. Kamala Harris tha gjithashtu se donte të mbronte edhe arkitekturën e sigurisë evropiane. Por, edhe nëse ajo fiton, evropianëve do t’u duhet sërish të forcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse.
“Besoj se edhe nëse Harris fiton zgjedhjet, ajo do t’u thotë aleatëve evropian se ky është problemi juaj dhe juve do t’ju duhet të bartni barrën e mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Por besoj se Harris do të na japë kohë. Ajo do ta bëjë këtë gradualisht”, deklaroi Biscop.
Cilido që të jetë rezultati i zgjedhjeve amerikane, Bashkimi Evropian duhet ta vijojë mbështetjen për Kievin. Por bllokut 27-anëtarësh do t’i duhet të rishikojë prioritetet dhe strategjinë e tij.
“Çështja është se cila do të jetë strategjia jonë. Këshilli Evropian deklaroi së fundmi se do ta mbështesë Ukrainën për sa kohë të ketë nevojë, qoftë deri në çlirimin e gjithë territorit të saj. Por a e besojnë këtë liderët tanë ushtarakë dhe politikë? Nëse po, ata duhet të japin më shumë armatime, por aktualisht këtë nuk e beson askush. Ata duhet të shqyrtojnë se cili është opsioni i dytë më i mirë, ose alternativa e fundit më e keqe, por që të jetë fleksibël”, tha Biscop.
Zgjedhjet amerikane janë një këmbanë alarmi për BE-në. Evropianët duhet të përgatiten t’u përgjigjen ndryshimeve të rendit botëror. Dhe përpara këtij realiteti të ri gjeopolitik, 27 vendeve do t’u duhet të mbështeten më shumë tek vetvetja.