Në Korçë kanë filluar të numërojnë mungesat për ndeshjen e mesjavës ndaj Partizanit. Pasi u mbushën me kartonë të verdhë dhe një të kuq në dy përballjet e fundit me Bylisin dhe Elbasanin, bardhekuqtë duhet të bëjnë llogaritë me një pjesë të mirë të ekipit jashtë dispozicionit për këtë takim.

Kjo ka sjellë për pasojë një mbledhje deri diku emergjente që veç analizës së takimit të fundit, korçarët kanë diskutuar edhe për numrin e madh të kartonëve të marrë në këto javë të fundit. Për trajnerin Ivan Gvozdenoviç kjo është një situatë që ndikon mjaft në përgatitjen e ndeshjes së radhës ndaj i ka kërkuar të tijve që të bëjnë më shumë kujdes në kartonët e panevojshëm që vijnë si rezultat i ndërhyrjeve në zona jo të rrezikshme apo për protesta.

MUNGESAT – Pesë mungesa do të ketë Skënderbeu në ndeshjen e nesërme. Kështu, pasi kanë humbur Nikajn për gjithë vitin 2024, Doka që duhet të bëjë disa ditë pushim dhe Gërçon, që është i pezulluar dhe jashtë ekipit. Korçarët duhet të bëjnë llogaritë pa kapitenin Prençi, që u ndëshkua me karton të kuq dhe mesfushorin Devid Janaqi, që plotësoi numrin e kartonëve të verdhë të lejuar. Kjo ka bërë me dhimbje koke stafin bardhekuq që janë parë të diskutojnë gjatë rreth zgjidhjeve që do t’u japin mungesave kyçe për këtë takim kaq të rëndësishëm.

Duket se do të jetë Luço Vaskez ai që do të zëvendësojë Prençin në qendër të mbrojtjes dhe Vangjeli që do të rikthehet titullar në vend të Dokës. Pjesa tjetër e prapavijës është e plotësuar me Randin dhe Zenullarin. Mesfusha është ndoshta reparti ku dilemat janë më të shumta sa i përket zëvendësimit të Janaqit. 21-vjeçari ishte kthyer në motorin e korçarëve në këtë pozicion ndaj do të jetë e vështirë të zëvendësohet plotësisht intensiteti që ai jepte në fushë.

Me Rabiun në pozicionin e ekranit dhe Jurin disi më të avancuar stafi korçar duhet të vendosë për një mes Krasniqit dhe Frenkit për këtë pozicion në mesfushë. Kosovari është dukshëm më i avantazhuar për të mbuluar hapësirën e lënë bosh nga Janaqi. Në sulm Rashica dhe Balaj do të mbështesin Bismark në majë të sulmit bardhekuq.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb