Policia në Lezhë njofton se ka vënë në pranga dy punonjës të shërbimit privat kontraktuar për ruajtjen e sigurisë fizike të një supermarketi ku u krye vjedhje.
Gazetari Elidon Ndreka raporton për Balkanweb se në pranga kanë rënë shtetasit Gëzim Biba dhe Tonin Nikolli. Ata akuzohen për shpërdorim detyre. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e hajdutëve.
“Në vijim të hetimeve të thelluara dhe veprimeve operacionale që po kryhen nga strukturat hetimore të Policisë së Lezhës, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe të rrethanave të vjedhjes me thyerje, të kasafortës me xhirot e ditëve të fundit, në një supermarket në fshatin Ishull Lezhë, rast i njoftuar rreth orës 07:30 të mëngjesit të djeshëm, ju informojmë se:
Komisariati i Policisë Lezhë ka vënë në pranga shtetasin G. B., 47 vjeç, banues në fshatin Balldre dhe shtetasin T. N., 55 vjeç, banues në Lezhë, të dy punonjës të shërbimit privat, i kontraktuar për ruajtjen e sigurisë fizike të supermarketit ku u krye vjedhja.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se këta shtetas më datë 28.10.2024, në orën 04:15, kanë shkuar për të verifikuar një sinjal alarmi te ky supermaket. Ata dyshohet se nuk kanë respektuar rregullat për kontrollin e objektit në perimetrin e tij, si dhe nuk kanë përmbushur detyrimin për njoftimin e Policisë. Mosveprimet e tyre dyshohet se kanë favorizuar autorët e vjedhjes, për kryerjen e krimit.
Materialet procedurale për të dy shtetasit i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndërkaq, vijojnë hetime intensive për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e kësaj vjedhjeje”, njofton policia.
(Balkanweb)