Gjenerali Enrico Barduani, komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë, ka diskutuar prioritetet e tij kryesore dhe përkushtimin ndaj stabilitetit në Kosovë.

Duke vlerësuar përvojën e tij të kaluar në Kosovë, Barduani theksoi rritjen e forcave ushtarake të KFOR-it si përgjigje ndaj sfidave në rritje të sigurisë globale dhe rajonale.

“KFOR-i është misioni më i gjatë dhe më i madh i NATO-s, me një kontribut nga 29 vende aleate dhe partnere. Përkushtimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit mbetet i palëkundur,” u shpreh Barduani në një intervistë për Radio KFOR-in.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke nënvizuar se misioni i KFOR-it mbetet një nga elementët kyç të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për prioritetet e tij, Barduani deklaroi se do të sigurohet që KFOR-i të vazhdojë të garantojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.

Ai theksoi rolin e KFOR-it në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it dhe siguroi për një reagim të koordinuar ndaj çdo sfide të sigurisë që mund të shfaqet në rajon.

Motoja e zgjedhur nga Barduani për mandatin e tij njëvjeçar është “Unitas Omnia Vinciť” – “Uniteti fiton mbi të gjitha”.

Ai tha se suksesi i KFOR-it mund të arrihet përmes kohezionit dhe unitetit jo vetëm brenda misionit, por edhe me komunitetet lokale dhe ndërkombëtare.

Në përfundim, Barduani përshëndeti dhe vlerësoi punën e përkushtuar të bashkëluftëtarëve të tij dhe kujtoi sakrificat e ushtarëve të rënë të KFOR-it, duke theksuar kontributin e tyre për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: