Zgjedhja e Rodri-t si fitues i “Topit të Artë”, ose më saktë, mos akordimi i këtij trofeu për Vinicius jr vijon të prodhojë debat në të gjithë botën e futbollit. Mes Real Madrid dhe redaksisë së France Football tani është luftë totale. Për herë të parë prestigjiozja franceze bashkëpunoi me UEFA-n, një tjetër arsye e fortë që Florentino Perez të ngrijë çdo bashkëpunim.
Ishte pikërisht bosi i Realit që nuk lejoi asnjë përfaqësues nga klubi i tij të udhëtonte drejt Parisit kur kuptuan se fitues nuk do të ishte Vinicius. I menjëhershëm ishte reagimi i kryeredaktorit të France Football i cili foli për presion nga ana e Realit. E përditshmja spanjolle Marca shkruan se tani Real Madrid as që do t’ia dijë më për këtë ceremoni, për këtë trofe. Marca zbulon se Vinicius, Ancelotti dhe përfaqësuesit e Realit ishin bërë gati që të dielën të udhëtonin drejt Parisit, madje braziliani kishte planifikuar edhe një festë gjigande, i bindur se do të ishte ai fitues, por të hënën Perez mësoi se fitues nuk do të ishte sulmuesi i tij, kaq mjaftoi që të anulonte gjithçka.
Sipas të përditshmes spanjolle, Perez mendon se pas këtij vendimi fshihet armiku i tij më i madh, presidenti i UEFA-s, Ceferin. Gjithnjë sipas Marca-s, Reali dhe Perez nuk kanë asgjë me Rodrin, një lojtar të cilin e vlerësojnë shumë, madje Perez është përpjekur këtë periudhë ta afrojë në Madrid si zëvendësuesin e Toni Kroos, por numri një i Realit i ka shpallur luftë France Football dhe…UEFA-s
(BalkanWeb)