Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ishte sot në një seancë dëgjimore në Komisionin kundër Dezinformimit.

Sejko evidentoi se kohët e fundit intensifikimi i sulmeve kibernetike, është shtuar, ndërsa solli në vëmendje rastin e një banke të nivelit të dytë, e cila ra pre e sulmeve kibernetike, duke deklaruar se nga sulmi nuk u cenuan llogaritë bankare, por informacioni.

Ai sqaroi se falë koordinimit të institucioneve ligjzbatuese, sulmi kibernetik u izolua dhe u menaxhua në kohë rekord.

“Lidhur me plotësimin e kuadrit rregullator për sulmet kibernetike, gjatë kohëve të fundit, Banka e Shqipërisë ka qenë gjatë 2 viteve të fundit , ka pasur sulme të ndryshme, na ka bërë që të marrim masa të vazhdueshme në lidhje me mbrojtjen e sistemit informatik dhe sistemeve të qarkullimit të pagesave të cilat kanë një rëndësi kritike për sigurinë kombëtare të vendit.

Gjatë kohëve të fundit intensifikimi i sulmeve kibernetike është shtuar. Një rast ka qenë një sulm i fortë kibernetik që për fat të mirë nuk cenoi llogaritë bankare, por cenoi informacionin. Sulmi, si pasojë e koordinimit të institucioneve ligj zbatuese është izoluar dhe u menaxhua në kohë rekord”, deklaroi Sejko.

Guvernatori bëri me dije gjithashtu se në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikqyrës do miratohet rregullorja e re për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike dhe teknologjisë së informacionit.

“Banka e Shqipërisë me asistencën teknike të departamentit amerikan të thesarit ka përgatitur një rregullore, që është rregullorja për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike dhe teknologjisë së informacionit DORA, e cila do miratohet në mbledhjen e radhës të këshillit mbikëqyrës. Kjo rregullore parashikon masa më të organizuar për mbrojtjen e sistemit bankar ndaj sulmeve kibernetike. Kjo rregullore do rrisë mënyrën e mbrojtjes së bankave të nivelit të dytë nga sulmet kibernetike”, u shpreh Sejko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb