Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj ka replikuar me eurodeputetët gjatë mbledhjes së Komitetit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE. Në përgjigje të kritikave të disa eurodeputetëve të cilët deklaruan se “opozita duhet të zgjedhë rrugën e konstruktivitetit”, Gjekmarkaj ka sjellë në vëmendje situatën ku ndodhet pakica parlamentare në raport me mazhorancën.

Ai ka thënë deputetët e opozitës janë dëbuar nga Kuvendi për shkak të dënimeve dhe përjashtimeve, vendime këto nga ana e Parlamentit që kontrollohet nga shumica. Gjithashtu, Gjekmarkaj ka ngritur si shqetësime edhe burgosjen e liderit të opozitës, Sali Berisha i cili sipas tij është një i arrestuar politik.

“Në Shqipëri lideri i opozitës është një i arrestuar politik! Mendoni një cast t’i keni në burg zonjën Shlein kryetaren e Opozitës në Itali, Renzin, Calendën e të tjerë që nuk më vinë emrat dhe sa do ishit të ftohtë në gjykim? Si shoqëria do ta perceptonte! A do i shpëtonit ju përcaktimit që po ndërhyhet në fushatën elektorale dhe në rezultatin e zgjedhjeve? Ndaj kërkoj mirëkuptimin tuaj për problemet që opozita ngriti“, ka thënë Gjekmarkaj.

Agron Gjekmarkaj: Ne si deputet të opozites jemi këtu në shenjë respekti dhe mirënjohje për ju! E çmojmë shumë komunikimin dhe ndihmën tuaj! Kolegët tanë janë në protestë për çështje madhore të demokracisë në Shqiperi! Ne jemi këtu sepse integrimin e kemi nisur ne si PD në vitin 1990 dhe e konsiderojmë jetik për vendin tonë!

Ne nuk provokuam askënd në këtë sallë! Nuk fyem dhe nuk bëmë teatër! Ngritëm shqetësime që i konsiderojmë tepër të rëndësishme! Ne jemi të përjashtuar nga 40-60 ditë, më saktë jemi të dëbuar nga Parlamenti! Duhet të mirëkuptoni realitetin!

Një rregullore e dhunshme e miratuar së fundmi dhunshëm me kartonat e mazhorancës për të ndëshkuar opozitën! Një e tillë nuk ekziston askund ne Europë në vendet tuaja! Ndoshta akti i parë i ndihmës mund të jetë thirrja që kjo rregullore të hiqet!

Zonja e Zoterinj,

Ne jemi europianë, kemi qenë gjithmonë! Askush nuk e di me mire se ne cfare do te thote te luftosh 6 shekuj per kontinentin tone! E kemi patur, e kemi humbur, e kemi rigjetur dhe perpiqemi qe ne vendin tone te kemi ato standarte!

Jemi europianë si ju por kemi patur fat më të keq!

Në 34 vite Shqipëria ka ndryshuar falë lirisë dhe punës së shqiptarëve e ketu nuk mund ta pervetesoje dikush politikisht kohen tonë.

Miqve italianë dua t’u them se e njoh mirë politikën e vendit fqinj kam studiuar e jetuar me vite atje. Dialektika dhe debati as atje nuk është i rrafshët madje shpesh i ndezuar e nuk mund të na kërkohet ne të jemi të heshtur e garniturë!

Asnjëri prej jush sa do ta keni të lartë respektin për drejtësinë e pavarur se të tillë e duam dhe ne, nuk e koncepton që 6 muaj para zgjedhjeve krejt lidershipi i partive opozitare të ishte i arrestuar apo burgosur! Në Shqipëri lideri i opozitës është një i arrestuar politik! Mendoni një cast t’i keni në burg zonjën Shlein kryetaren e Opozitës në Itali, Renzin, Calendën e të tjerë që nuk më vinë emrat dhe sa do ishit të ftohtë në gjykim? Si shoqëria do ta perceptonte! A do i shpëtonit ju përcaktimit që po ndërhyhet në fushatën elektorale dhe në rezultatin e zgjedhjeve? Ndaj kërkoj mirëkuptimin tuaj për problemet që opozita ngriti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb