Kompania e famshme e veshjeve sportive, Adidas, ka arritur marrëveshje me reperin, Kanye West, që t’u jepet fund të gjitha procedurave ligjore kundër tij, pa dëmshpërblime.

Gjiganti gjerman i veshjeve sportive, ishte i bllokuar në disa mosmarrëveshje me artistin, nofka e të cilit është Ye, pasi kishin ndërprerë bashkëpunimin në vitin 2022 me pretendimin se ai ishte antisemitist, shkruan The Guardian.

“Nuk ka më probleme të pazgjidhura dhe nuk ka para që shkëmbehen në mes nesh”, ka thënë shefi ekzekutiv i Adidasit, Bjorn Gulden, në një konferencë për shtyp të martën.

Ai ka shpjeguar se kishte tension në disa çështje, por të dyja palët janë dakorduar të mos “përleshen më”.

“Drama me Westin i përket të kaluarës. Askush nuk i detyrohet asgjë askujt tashmë. Çfarëdo që ka ndodhur në të kaluarën i përket historisë”, ka thënë shefi i Adidasit.

Adidas dhe West patën filluar bashkëpunimin në vitin 2014 pasi reperi kishte përfunduar bashkëpunimin me brendin tjetër të veshjeve sportive, Nike.

Partneriteti në mes West dhe Adidas ishte një nga më të suksesshmit në historinë e veshjeve sportive si rezultat i të cilit, brendi “Yeeze” që e kishte themeluar West, fitoi milionat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: