ELBASAN
Pas shoqërimit në polici të disa qytetarëve që ishin pjesë e “Protestës së Mosbindjes Qytetare” në Rrethrrotullimin e Bradasheshit dhe arrestimin e Edmond Pojanit, Arben Pjetrit dhe Hamza Lamçjas ka reaguar dega e PD Elbasan dhe deputetët që organizuan këtë protestë, ndërsa 3 prej tyre janë vënë në hetim.
Kreu i PD Elbasan, Blendi Himçi i shoqëruar nga eksponentë të kësaj force politike dhe dy deputetë para ambienteve të policisë së Elbasanit e konsideroi të padrejtë masën e ndërmarrë ndaj 3 protestuesve dhe njoftoi se do të referojë në SPAK për shpërdorim detyre Policinë e Elbasanit.
Nga ana e tij deputeti Tomor Alizoti u shpreh i indinjuar me situatën që ka gjetur në Elbasan. Në fjalën e tij sulmoi policinë e shtetit dhe e akuzoi se është e lidhur ngushtë me krimin e organizuar. Një koment ironizues e kishte edhe me mjetet e ambulancave te përdorura sipas tij për të provokuar protestuesit.
Ndërkohë në deklaratën zyrtare policia e Elbasanit bëri me dije se vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e automjetit të katërt që bllokoi qarkullimin, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë tubimit.
Tomor Alizoti, Edmond Spaho dhe Qani Xhafa u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Sakaq 20 protestues të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, si dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.