Policia e Shtetit ka publikuar bilancin e protestës së organizuar mbrëmjen e djeshme nga opozita. BalkanWeb mëson se katër persona janë vënë në pranga ndërsa 195 janë proceduar. Policia bën të ditur se 15 deputetë, Sekretari Organizativ i PD, Ervin Minarolli dhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja janë kallëzuar në SPAK. Ata akuzohen për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe/ose “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia bën të ditur se “ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve”. “Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit”.
Nga 4 protestuesit e arrestuar, 3 janë vënë në pranga në Elbasan dhe 1 në Tiranën.
Deputetët e PD të kallëzuar në SPAK
Protestuan në Tiranë
Flamur Noka
Albana Vokshi
Xhelal Mziu
Asllan Dogjani
(Bllokuan mbikalimin e Kamzës)
Protestuan në Durrës
Edi Paloka
Ervin Minarolli – Sekretari për Organizimin dhe Burimet Njerëzore në PD
Fisnik Qosja – Kryetar i Bashkisë Kavajë
(Bllokuan mbikalimin e Shkozetit)
Protestuan në Fier-Vlorë
Kasem Mahmutaj
Tritan Shehu
Luan Baçi
(Bllokuan kryqëzimin e Levanit)
Protestuan në Elbasan
Dashnor Sula
Bledjon Nallbati
Tomorr Alizoti
Qani Xhafa
Edmond Spaho
(Bllokuan rrethrrotullimin e Bradasheshit)
Protestuan në Milot
Elda Hoti
Kastriot Piroli
(Bllokuan mbikalimin e Milotit)
Protestuesit e arrestuar në Elbasan
Edmont Pojani
Arben Pjetri
Hamza Lamçja
Njoftimi i Policisë: Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Lezhë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, për dokumentimin e paligjshmërive të kryera gjatë tubimeve të djeshme, në pikat lidhëse të këtyre qyteteve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, ju informojmë se:
-Janë arrestuar 4 shtetas, 3 në Elbasan dhe 1 në Tiranë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe/ose “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
-Janë referuar materialet në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 195 shtetas, përkatësisht 92 në Durrës, 36 në Fier, 33 në Tiranë, 20 në Elbasan dhe 14 në Lezhë. Janë shpallur në kërkim 5 shtetas, përkatësisht 3 në Elbasan dhe 2 në Tiranë.
-Janë referuar materialet në SPAK, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 16 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë (4 në Tiranë, 4 në Durrës, 3 në Fier, 3 në Elbasan dhe 2 në Lezhë) dhe për kryetarin e bashkisë Kavajë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ditën e djeshme, këta shtetas janë grumbulluar në pikat lidhëse të qyteteve Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier dhe Lezhë dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu, disa prej tubuesve kanë lënë automjetet e tyre në rrugë, me qëllim bllokimin e qarkullimit. Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e drejtuesve të automjeteve me të cilat u bllokua qarkullimi, si dhe në drejtimin e prokurorive kompetente, po hetohet për të identifikuar shtetasit e tjerë të implikuar në paligjshmëri gjatë këtyre tubimeve.
(BalkanWeb)