Kabineti i sigurisë i Izraelit po diskuton kushtet e një armëpushimi me Hezbollahun në Libanin jugor, ku trupat izraelite po kryejnë një ofensivë tokësore, ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Energjisë, Eli Cohen, raporton Agence France-Presse (AFP).

“Ka diskutime, mendoj se do të duhet ende kohë”, ka thënë Cohen për radion publike izraelite.

Sipas televizionit izraelit Channel 12, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilloi bisedime me ministrat të martën në mbrëmje lidhur me kërkesat e Izraelit në këmbim të një armëpushimi 60-ditor.

Këto përfshijnë një tërheqje të Hezbollahut në veri të lumit Litani, 30 kilometra nga kufiri izraelit, vendosjen e ushtrisë libaneze përgjatë kufirit, një mekanizëm ndërhyrjeje ndërkombëtare për të zbatuar armëpushimin dhe një garanci që Izraeli do të ruajë lirinë e veprimit në rast të kërcënimeve, raporton AFP.

“Falë të gjitha operacioneve të ushtrisë këto muajt e fundit dhe veçanërisht këto javët e fundit, Izraeli mund të vijë në një pozicion të fortë pasi e gjithë udhëheqja e Hezbollahut u eliminua dhe mbi 2,000 objekte terroriste të Hezbollahut u goditën”, ka thënë Cohen, një ish-ministër i Inteligjencës.

Sipas mediave izraelite, këshilltari dhe i dërguari special i presidentit amerikan Joe Biden për Lindjen e Mesme, Amos Hochstein, do të shkojë në rajon të mërkurën për të takuar Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë izraelitë për të diskutuar kushtet për një armëpushim me Hezbollahun.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: