Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një video të postuar në rrjetet sociale ka deklaruar që çështja e pensioneve nuk duhet trajtuar me partizëm, pasi çmimet e rritura prekin njësoj si të majtët, ashtu edhe të djathtët.

“Çmimet e rritura i paguajnë njësoj si të majtët, ashtu edhe të djathtët. Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Me 20 lekë në ditë, sot nuk blihet as biletë autobusi, as gjysmë kafe, jo më të mbulohen nevojat që kanë sot pensionistët, si ilaçet, ushqimet apo të tjera produkte jetike”, deklaroi Tabaku.

Ajo shtoi se shpërdorimi i buxhetit në 10 vitet e fundit ka arritur shumën prej 8 miliardë eurosh, duke theksuar se ky buxhet mund të ishte përdorur për të rritur pensionet. Tabaku gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të pyesin deputetët socialistë se çfarë mund të blejnë prindërit e tyre me 20 lekë në ditë.

“Nëse duan, paratë për pensionistët i nxjerrin nga dheu. Ky është problemi, nuk duan dhe nuk i rrisin pensionet! ”, përfundoi Tabaku.

Deputetja e PD-së kërkon që pensionistëve t’u sigurohen kushte më të mira dhe mbështetje më e fuqishme ekonomike, duke theksuar se kjo nuk është çështje që mund të zgjidhet me retorikë politike, por kërkon vullnet dhe vendime të guximshme për të mbështetur të moshuarit.

Postimi i Tabakut

Shiko, kjo puna e pensioneve nuk është fare me partizëm. Se çmimet e rritura i paguajnë njësoj si të majtë, si të djathtë.Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Me 20 lekë në ditë sot nuk blihet as biletë autobusi, as gjysmë kafe në ditë , jo më çmimet e rritura të ikaçeve, të produkteve, të ushqimeve, shporta dhe çdo nevojë tjetër që kanë sot pensionistët. Kur takoni një deputet socialist, herës tjetër, pyeteni: prindërit e tyre çfarë blejnë me 20 lekë në ditë? 8 miliardë euro ka qenë shpërdorim i buxhetit në 10 vitet e fundit! Nëqoftëse duan pensionistët, nga dheu i nxjerrin lekët. Kjo është çështje që nuk duan dhe nuk i rrisin pensionet!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb