Të shtëna me armë zjarri janë rregjistruar në Shkodër këtë të mërkurë. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Dobraç’’, ish lapidari i 5 heronjve. Paraprakisht dyshohet për dy persona që kanë ndërruar jetë dhe dy të tjerë që janë plagosur. BalkanWeb mëson se ka humbur jetën Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit. Ibrahim dhe Hamza Lici janë djemtë e Mustafa Licit, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Hamza Lici është qëlluar brenda në një Benz S Class me targa kroate ku po udhëtonte së bashku me Arlind Bushatin. Ky i fundit, djali i ish-kandidatit të PD në Shkodër, Xhemal Bushati ka mbetur i plagosur rëndë.

BalkanWeb sjell ekskluzivisht pamjet e para të atentatit ku viktimat duken ende në vendin e ngjarjes.

Viktima e dytë e kësaj ngjarje dyshohet se nuk ka lidhje me atentatin por është kalimtare e rastësishme. Ajo është një grua e moshuar që ka humbur jetën në rrethana që mbeten për t’u sqaruar, teksa ndodhej aty pranë së bashku me bashkëshortin e saj.

Policia dhe ambulanca kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Dy të plagosurit e kësaj ngjarje janë dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodrës ku mësohet se ndodhen në gjendje të rëndë për jetën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb