2 viktima dhe 2 të plagosur rëndë është bilanci i një atentati në Shkodër i ndodhur pasditen e kësaj të mërkure te rrethrrotullimi i “5 heronjve”, në lagjen Dobraç. Hamza Lici ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Ai është qëlluar për vdekje brenda në automjetin ku po udhëtonte me Arlind Bushatin i plagosur. Makina e tyre ishte një “Benz S Class” me targa kroate (qyteti i Splitit).
Drejt tyre mësohet se është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet në lëvizje.
News24 dhe BalkanWeb sollën pamjet e para nga vendi i ngjarjes vetëm pak çaste pas të shtënave. Trupat e viktimave kanë qenë në vendngjarje për disa minuta, deri në mbërritjen e autoambulancave.
Ndërkohë që viktima tjetër është një kalimtare e rastit. Gruaja që humbi jetën nuk ka lidhje me ngjarjen. Ajo është identifikuar si Flutra Basha. I plagosur ka mbetur bashkëshorti i saj, Bashkim Basha. Burrë e grua po udhëtonin me motor kur janë përplasur nga automjeti i shënjestrës, Hamza Lici pasi kishte humbur kontrollin pas të shtënave me breshëri plumbash.
I plagosur ka mbetur Arlind Bushati i cili ndodhej në automjet së bashku me Licin. Arlind Bushati është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati i PD për kryetar bashkie në Shkodër. Arlind Bushati ka marrë një plumb në kokë dhe mësohet se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë. Edhe i plagosuri tjetër, Bashkim Basha ndodhet në spitalin e Shkodrës në gjendje kritike për jetën.
Gazetari i News24, Igli Çelmeta, tha se Hamza Lici ishte objektiv i atentatit në Dobraç.
Referuar burimeve policore, dyshohet se ka pasur një shkëmbim zjarri mes viktimës dhe autorëve. Mësohet gjithashtu se policia ka gjetur armë zjarri në makinën ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Policia e Shkodrës në reagimin e parë për mediat tregoi dinamikën e atentatit mafioz dhe bëri të ditur se drejt kryeqendrës së veriut është nisur një njësi e RENEA-s.
Reagimi i parë i Policisë: Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.
Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e rimeve të Rënda
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
(BalkanWeb)