Krimi nuk kursen as të pafajshmit. Një tjetër atentat mafioz në Shqipëri shkaktoi një viktimë që nuk ka lidhje me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale, por u gjend në vendin dhe kohën e gabuar. Flutra Basha humbi jetën pasi një automjet i bërë “shoshë” nga plumbat doli jashtë kontrollit dhe goditi motorin ku udhëtonte ajo së bashku me bashkëshortin. Goditja rezultoi fatale për gruan, ndërsa burri i saj, Bashkim Basha përfundoi në spital në gjendje të rëndë. Bilanci i masakrës mund të rëndohet orët në vijim…

Dinamika e kësaj ngjarje është tragjike. Dy të rinj, Hamza Lici dhe Arlind Bushati humbën jetën, i pari në vendin e ngjarjes prej plagëve të marra nga breshëria e kallashnikovit dhe i dyti në spital ku kishte kaluar disa orë i ndihmuar nga mjekët në “luftën” me vdekjen, por të cilën e humbi përfundimisht në orët e mbrëmjes së kësaj të mërkure. Atentati mafioz rezultoi me një bilanc tragjik, tre viktima dhe një të plagosur rëndë.

Flutra Basha, viktimë e pafajshme
Flutra Basha i shtohet kështu emrave të tjerë që krimi nuk i ka kursyer gjatë hakmarrjes së pamëshirshme mes bandave. Jetët e pafajshme që po këputen në mes nga breshëria e plumbave mes atyre që kanë kusure ndaj njëri-tjetrit, sa vinë dhe rriten, ç’ka ngre alarmin se rendi dhe siguria në vend po bëhet gjithnjë e më e brishtë. Gruaja e moshuar e Shkodrës është dëshmia konkrete se si jeta e gjithsecilit është në fije të perit sa kohë qarkullojnë lirisht persona të armatosur apo planifikojnë atentate ndaj kundërshtarëve të tyre në sipërmarrjen kriminale. Por këto plane djallëzore që i përkasin botës së errët të krimit nuk pyesin për jetët e pafajshme që nuk e dinë se në X apo Y vend, rrugë, rrugicë, bar kafe, restorant apo kinema do të lëshohet batareja e të shtënave thjesht e vetëm se aty pranë gjendet objektivi.

Tritoli ishte nisur për tjetër kënd, humbi jetën 29-vjeçari në Elbasan
Vetëm pak javë më parë, në Spitalin e Traumës, pas 3 muajsh betejë me vdekjen, ndërroi jetë 29-vjeçari Enea Thomaraj. I riu ishte në banesën e tij, në Elbasan kur tritoli i vendosur te fqinjët e tij, e plagosi rëndë, e më pas i mori jetën në spital, në moshën më të bukur. Shtylla e familjes Thomaraj u shemb, djali i vetëm nuk mund të kujdeset më për ta, familjes i la një brengë të pashlyeshme, ndërsa banorëve në lagjen Haxhias në Elbasan një frikë të madhe.

Vrasja e kamarierit në Memaliaj
Jo më larg se 4 muaj më parë një atentat tipik i vrasjeve në masë rezultoi me një bilanc po ashtu dramatik, tre të vdekur. Mbrëmjen e 21 korrikut 2024 në një lokal në Memaliaj mbetën të vrarë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, kamarieri Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela. Siç u mësua më pas, shënjestër e atentatit ishte Shyqyri Kalemi, por krahas tij plumbat nuk falën as Gledio Mukën që punonte për bukën e gojës dhe as klientin e lokalit i cili kishte zgjedhur që atë mbrëmje të ngrohtë korriku ta kalonte jashtë shtëpisë, deri në orët e vona. I ndodhur në vendin dhe kohën e gabuar i kushtoi jetën.

Breshëri plumbash mbi banakieren e lokalit në Don Bosko 
Por për ta kuptuar më mirë se si krimi i organizuar gabon në shënjestër duke vrarë të pafajshëm mjafton të kujtojmë atentatin e Don Boskos, në Tiranë, 12 marsin e vitit 2023. Një grua u qëllua për vdekje në vendin e saj të punës, në ambientet e një lokali. Një breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje nuk ka për qëllim të frikësojë, por plumbat përqendrohen të gjithë në një perimetër të vogël. 58-vjeçarja Mimoza Paja ishte në vendin e saj të punës kur iu mor jeta pabesisht. Nga kjo ngjarje nuk u kursye as mbesa e saj e mitur e cila mori lëndime nga thyerja e xhamave. Ndërsa 5 persona të tjerë morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit nga plumbat, por fatmirësisht nuk rezultuan në fatalitet.

Atë pasdite të 12 marsit u qëllua me breshëri plumbash lokali i Fatjon Muratit, person i shumëkërkuar nga autoritetet. Ky i fundit është një personazh i njohur për policinë. Fatjon Murati dyshohet i përfshirë në masakrën e Fushë Krujës u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Haxhia dhe Diklen Vata. Gjithashtu, Fatjon Murati ka qenë i dënuar për armëmbajtje dhe posedim të municioneve pa leje. Prokuroria e Tiranës i ka sekuestruar Fatjon Muratit një pasuri me vlerë 5 mln euro.

Festoi vitin e ri, gjeti vdekjen nga breshëria e plumbave
Erion Çela, 35 vjeç ishte një tjetër i pafat, të cilit më 4 Janar, 2022 vetëm që pak ditë pasi kishte festuar vitin e ri, jeta iu pre në mes nga breshëria e automatikut që kishte një tjetër objektiv. Atentatorët nuk e llogaritën dhimbjen që shkaktuan te familja e Erionit, e cila mbeti pa kryefamiljar, nëna pa djalin, e fëmija që ishte në barkun e nënës, pa baba.

Dita e parë e punës iu kthye e fundit e jetës, 20-vjeçarit në Velipojë
Më 26 Qershor 2021, 4 persona mbetën të vrarë dhe 2 të tjerë u plagosën pas një sherri për shezlongë në Velipojë. Një prej viktimave ishte kamarieri i lokalit aty pranë, 20-vjeçari Myzerim Zeneli, i cili e kishte ditën e tij të parë të punës. Siç ka treguar nëna e tij, 3 ditë para ngjarjes ai festoi maturën bashkë me shokët. Madje ajo kishte ëndërruar t’i blinte xhaketën më të bukur, por nuk ia doli dot.

***

Të gjitha rastet e mësipërme janë dëshmi se si jeta e gjithsecilit është në fije të perit sa kohë qarkullojnë lirisht mes nesh persona të armatosur që planifikojnë atentate ndaj kundërshtarëve të tyre në sipërmarrjen kriminale. Këto plane djallëzore që i përkasin botës së errët të krimit nuk pyesin për jetët e pafajshme që nuk e dinë se në ç’vend, rrugë, bar kafe, restorant apo kinema do të lëshohet batareja e plumbave, thjesht e vetëm se aty pranë gjendet objektivi i tyre, i cili duhet të asgjësohet me çdo çmim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb