Në mjediset e Prefekturës së Qarkut të Korcës u zhvillua takimi i dytë i Komitetit Pilotues për bashkëpunim mes institucioneve qëndrore e vendore me ekspertin e qeverisë franceze, z. Jérôme Lebars, që tashmë është i atashuar në institucionin e Prefekturës, për të punuar lidhur me projektin e çeljes së Liceut Francez në Korçë, një kërkesë e Kryeministrit Rama që u mirëprit nga Presidenti Macron, në vizitën e tij në vendin tonë.
Prefekti i qarkut z.Nertil Jole priti në zyrë z. Pierre Raynaud, Këshilltarin për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën Franceze në Shqipëri. Për realizimin e detyrës së ngarkuar nga Kryeministri, institucioni i Prefektit po mbështet ekspertin francez dhe asiston nga afër procesin, duke siguruar ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qëndror dhe vendor.
“Ky projekt është vazhdë e traditës së miqësisë më të mirë mes dy vendeve tona dhe do të zgjerojë hapësirën për një perspektivë të re për shumë të rinj të qarkut tonë e më gjerë, të cilët në të ardhmen mund të zgjedhin këtë shkollë për arsimin e tyre të mesëm, duke i krijuar vetes mundësinë edhe për studime universitare në Francë”, shkruan Prefekti Jole në Facebook-un e tij.