Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka, në Neës24, duke folur për progres raportin e KE për Shqipërinë, tha se nuk kemi të bëjmë me ndonjë çështje të re. Ai tha se ato që përfshihen në progres-raportin e këtij viti janë të njëjtat çështje që ngrihen edhe në progres-raportet e mëparshme, sikundër kemi vlerësime dhe kritika.
Ai u shpreh se ne nuk e dimë se si do të jetë Europa e 2030, pra edhe nëse ne do të jemi gati, a do jetë gati Europa të na pranojë.
Gjipali u shpreh se lufta e Ukrainës ka ndikuar pozitivisht lidhur me zgjerimin e BE-së, pra me procesin dhe integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Union.
Ai tha se për momentin Shqipëria nuk rrezikon nga veto greke, por shtoi se nuk përjashtohet në të ardhmen që të kemi veto apo bllokime të procesit.
“Shqipëria është vonuar shumë në këtë proces, por kemi të gjitha mundësitë që të realizojmë apo finalizojmë këtë proces në 2030”, tha Gjipali.
(BalkanWeb)