Me sfondin e Piramidave të Gizës, 12 artistë rajonalë dhe ndërkombëtarë shfaqën instalacionet e tyre të artit në pllajën e tyre përreth, si pjesë e edicionit të katërt të ekspozitës “E përhershmja është tani”, duke e transformuar vendin historik në një skenë të krijimtarisë bashkëkohore. Artisti libanez, JEAN BOGHOSSIAN, pjesëmarrës në këtë ekspozitë, tha se koncepti i veprës së tij ka të bërë me artin si element për bashkimin e njerëzve.

“Gjëja më e rëndësishme është kultura pasi kultura është ajo që i bashkon njerëzit. Ky instalacion (art) është bërë në Belgjikë, dhe ne e sollëm këtu pranë piramidave, shumë të nderuar që jemi këtu. Koncepti pas tij, siç ju thashë, ka të bëjë me artin dhe bashkimin e njerëzve, sepse arti është i vetmi element që i bashkon njerëzit pavarësisht largësisë së tyre. Pjesa tjetër e mediumeve largon shumë (kombet) nga njëri-tjetri, qofshin kufijtë, fenë apo politikën. Jemi në botën e artit dhe kjo quhet Valët e Shkretëtirës”.
Ekspozita e cila ka nisur më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 16 nëntor, synon të ‘mjegullojë linjat midis së shkuarës dhe së tashmes’. Instalacionet e artit ofruan interpretime unike të së kaluarës së lashtë të Egjiptit, duke ndërlidhur simbolikën e piramidave me vizionin artistik modern. Arkeologu egjiptian ZAHI HAËASS u shpreh se kjo ekspozitë do të thotë shumë për egjiptin.

“Besoj të shoh 12 artistë nga 12 vende që tregojnë artin e tyre para piramidës, është një mrekulli, është magji dhe mendoj se kjo ekspozitë do të tregojë se Egjipti është i sigurt dhe (gjëja) më e rëndësishme që çdo artist do të vendosë në CV”.
Instalimi ‘Unë shoh’ i artistes italiane Federica Di Carlo, me një sy të madh, të përbërë nga mijëra lente optike, u ofron shikuesve një perspektivë të re ndaj piramidave duke krijuar një pamje të përmbysur të peizazhit të Gizës brenda çdo lente.
“Vendosa të krijoj një sy të madh që është plot me lente optike. Çdo lente është pothuajse si një pikë loti dhe dua që njerëzit të duken për herë të parë si piramida e Gizës. Pra, nëse i afroheni veprës së artit, do të shihni peizazhin e Gizës me kokë poshtë në secilën lente. Dhe për mua ishte shumë emocionuese të isha këtu dhe të krijoja diçka përballë piramidave, sepse është një vend shumë i fuqishëm, energjik, simbolik dhe i pabesueshëm në botë.”

Ndërsa artisti spanjoll, Xavier Mascaro, shpjegoi se vepra e tij bazohet tek jeta e përtejme.
“Koncepti pas kësaj vepre është dëshira e njeriut për jetën e përtejme, shpresa e përhershmërisë, dhe është frymëzuar në artin e lashtë egjiptian, në varkat e lashta, varkat diellore dhe varkat rituale, dhe këto janë enë boshe në të cilat vëzhguesi mund të projektojë narrativat e veta, por ka të bëjë me qëndrueshmërinë, mungesën dhe atë që shkon dhe çfarë mbetet.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: