Një kërkesë kemi ne, të kemi demokraci funksionale. Kështu u shpreh kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi në emisionin “Open” në News24, duke iu përgjigjur pyetjeve se çfarë kërkonte opozita për rikthimin e normalitetit në Kuvend.
Bardhi tha se me demokraci funksionale do të thotë që edhe të kemi proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Ai e quajti Edi Ramën një gënjeshtar, referuar deklaratës së Kryeministrit, i cili tha se përsa kohë do të jetë në këtë pozicion nuk do të jetë problem komunikimi me opozitën.
“Në kohën e qeverisë së PD-së, Sali Berisha e ftonte Edi Ramën dhe e lejonte të shkruante Kodin Zgjedhor siç ai e mendonte. Sot ai bëri një deklaratë që i hedh hi syve Ambasadorit të BE-së”, tha Bardhi.
Ai tha se në janar, kur opozita ishte në aksionin opozitar, ka pasur diplomatë që ishin të shqetësuar për atë që po ndodhte në atë kohë.
“Sot nuk kemi shpallur asnjë aksion në Kuvendin e Shqipërisë. Ne nuk kemi shpallur as bojkot, as dorëzim mandatesh, as normalitet, as ikje, por do i përgjigjemi hap pas hapi, ashtu siç vepron një opozitë normale që nuk mbyll sytë”, tha Bardhi.
Ai tha se çdo të enjte, sa herë ka Parlament, ne nuk do të përsërisim të njëjtin skenar me djegie karrigesh. “Ne mund t’i digjnim karriget brenda Kuvendit, djegia e karrigeve nuk është dhunë. Ne do të aplikojmë forma të ndryshme dhe do të japim mesazhet që duam të japim”, tha Bardhi.
Ai u shpreh se “Ervin Salianjin e çuan në burg, ndërkohë që vendimi i Gjykatës nuk është shpallur, ndërsa këtu thuhet se u dogjën karrige, që nuk janë dhunë”.