Këshilli i Legjislacionit në Kuvend, PS pranon vendimin e Gjykatës Kushtetueses për Rregulloren e Kuvendit për dënimet.
Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se vendimi u miratua vetëm me 5 votat e deputetëve socialistë, pasi deputetët e opozitës nuk morën pjesë.
“Këshilli i Legjislacionit ka vendosur miratimin e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit sipas përcaktimit të Gjykatës Kushtetuese. U rrëzuan të gjitha ato pika të Rregullores së Kuvendit ku merren masat ndëshkimore 30-60 ditë për disa shkelje, masa ndëshkimore të cilat u rrëzuan dhe në respekt dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjençaj.
Sipas vendimit të miratuar sot, mbeten në fuqi përjashtimet me 60 ditë të deputetëve të PD për zjarrvënien dhe prishjen e orendive të tjera, ndërkohë që për akuzën dhune ndaj Gardës hiqet si masë përjashtimi 30 deri në 60 ditë.
Gjithashtu, Këshilli i Legjislacionit duhet të shqyrtonte sot në këtë mbledhje dhe dy vendimmarrje të tjera të Gjykatës Kushtetuese, për profesionet e lira dhe për komisionet hetimore, por këto dy pika u shtynë për të premten e ardhshme, pasi mungonin dy relatorët Eduard Shalsi dhe Ermonela Felaj.
(BalkanWeb)