Ministri të shumta të Izraelit kanë njoftuar pezullimin e lidhjeve me të përditshmen “Haaretz” pasi botuesi i gazetës i përshkroi palestinezët si “luftëtarë të lirisë”, transmeton Anadolu.
Ky vendim erdhi mbrëmë vonë pasi pronari i Haaretz-it, Amos Schocken, i bëri këto komente në Londër të dielën, duke ndezur polemika brenda qarqeve politike izraelite.
Gazeta izraelite e lajmeve “Israel Hayom” raportoi se një direktivë e Ministrisë së Brendshme përfshin ndërprerjen e bashkëpunimit me Haaretz-in për shkak të komenteve të bëra nga Schocken. Ministria ka kërkuar nga Schocken të kërkojë falje për përshkrimin e tij të palestinezëve.
Në një konferencë për media më vonë, Schocken shprehu keqardhje për komentet e tij, duke deklaruar: “Kam rishqyrtuar fjalët e mia… Sa i përket (grupit palestinez) Hamasit, ata nuk janë luftëtarë të lirisë”.
Në fjalën e tij fillestare, Schocken kritikoi qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se asaj “nuk i intereson imponimi i një regjimi mizor aparteidi mbi popullsinë palestineze. Ai hedh poshtë kostot e të dyja palëve për mbrojtjen e vendbanimeve ndërsa luftojnë luftëtarët palestinezë të lirisë, që Izraeli i quan terroristë”.
Ai iu referua situatës në Gaza si një “Nakba e dytë” – “katastrofa” e shpërnguljes masive dhe shpronësimit të palestinezëve në vitin 1948, kur u themelua Izraeli – dhe bëri thirrje për sanksione ndaj Izraelit, duke pretenduar se kjo është mënyra e vetme për të arritur një shtet palestinez.