Gazetarja Klodiana Lala zbardhi detaje nga dëshmia e Saimir Tahirit para prokurorëve të Posaçëm. Ish-ministri i Brendshëm u pyet sot lidhur me protestën e organizuar nga PS në 21 janar 2011, ku humbën jetën 4 mbështetës të opozitës nga të shtënat që erdhën prej efektivëve të Gardës së Republikës.

Lala tha se SPAK do të thërrasë ditët në vijim deputetë, ish-deputetë, drejtues të PS si organizatorë të protestës. Po ashtu, para SPAK do të dëshmojnë edhe zyrtarë të atëhershëm si ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha e drejtues policie të asaj kohe.

Ajo theksoi se hetimet rihapura nga SPAK për 21 janarin pas kallëzimit të bashkëshortes së Aleks Nikës i cili humbi jetën në këtë protestë do të kërkojnë 1 vit kohë për përpilimin e dosjes he dërgimin e saj në GJKKO.

“Për 21 janarin, SPAK ka pyetur një numër të lartë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh. Dje ishte në Prokurorinë e Posaçme deputeti i PS, Xhemal Qefalia. Do thirren të gjithë personat, deputët dhe ish-deputetë të PS që kanë qenë organizatorë të demonstratës së 21 janarit. Nga ana tjetër do të pyeten edhe zyrtarët më të lartë të kohës përfshirë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha që do të japin sqarime në lidhje me vrasjen e 4 protestuesve. Kujtojmë që në 21 janar 2011 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit u vranë Faik Myrtaj, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Ziver Veizi. Vetëm dy nga vrasjet kanë autorësi, ndërkohë që dy të tjerët mbeten pa autor. Për këtë arsye po kryhen hetime nga ana e SPAK në bazë të kallëzimit të të vesë së Aleks Nikës. Në pyetje do të merret edhe Lulzim Basha. Berisha dhe Basha akuzohen nga e veja e Aleks Nikës si përgjegjës për vrasjen e protestuesve. Do të dojë 1 vit kohë pë të përfunduar hetimi dhe për të patur një verdikt final sa i takon përgjegjësisë së personave që mund të kenë patur lidhje apo mund të kenë urdhëruar vrasjet e 21 janarit. Në vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt janë dënuar Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, dënimet kanë qenë të ulëta për vrasje nga pakujdesia, vendim që është pritur me kritika të shumta. Vitin e ardhshëm pritet të ketë një finalizim të hetimeve dhe një verdikt nga SPAK për këtë çështje”, tha Lala.

Disa ditë më parë SPAK mori në pyetje ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi si dhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb