Genti Çela, kryetar i degës së PD-së Pogradec, duke folur në rubrikën “Opinion” në News24 tha se nuk ka pasur asnjë motiv lidhur me ndalimin e tij nga Policia, pas protestës së zhvilluar nga opozita, në kuadër të mosbindjes civile.
Çela tha se gjatë protestës në Bradashesh nuk ka pasur asnjë konflikt apo përplasje me policinë, ndërsa theksoi se u ndalua nga Policia e Pogradecit fillimisht, më pas u transferua në Elbasan.
Ai tha se gjatë kësaj proteste ka pasur një mënyrë agresive të sjelljes së policisë, një mënyrë agresive të komunikimit. “Ishte një drejtues që qartazi në vend të zbatimit të ligjit, i shërbente regjimit”, tha Çela.
Pedagogu Klementin Mile duke komentuar këtë rast tha se kreu i degës së PD-së së Pogradecit është një qytetar si gjithë të tjerët, nëse ka shkelur ligjin, do të ndalohet apo arrestohet, njëlloj si të gjithë të tjerët. “Unë nuk e di nëse në rastin konkret ndalimi është në përputhje të ligjit apo jo, se nuk jam jurist, por duhet parë e ka shkelur apo jo ligjin, pasi funksioni nuk të mbron”, tha Mile.
Edmond Spaho, i cili ishte një nga deputetët e PD-së, që u angazhua në protestën e zhvilluar në rrethrrotullimin e Bradasheshit, u shpreh se në të gjithë vendin janë ndaluar 200 protestues të opozitës.
“Nëse nuk protestohet në rrugë, ku do të protestohet? Protesta është formë demokratike për të shprehur zemëratën, po shprehim papajtueshmërinë tonë për mungesën e demokracisë. Kemi kërkuar qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. i keni parë protestat e jelekverdhëve në Francë? Natyrisht që do të përdorim edhe këtë formë proteste”, tha Spaho.