Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë organizoi forumin e biznesit Shqipëri-Greqi, ku u theksua rëndësia e marrëdhënies së fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, veçanërisht për nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve me interes të ndërsjellë.
Në fjalën e tij, kryetari i DHTIT-së, Nikolin Jaka, theksoi se “Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është mjaft optimiste dhe besimplotë se hapet një perspektivë drejt një zhvillimi të ri bashkëpunimi të sipërmarrjeve tona ndërmjet Tiranës dhe Athinës, që do të shërbejë si një nxitje për hartimin e agjendave të përbashkëta dhe zbatimin e projekteve konkrete, shkëmbime eksperiencash, pjesëmarrje reciproke në panaire dhe ekspozita, që i shërbejnë nxitjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve ndërmjet dy vendeve tona. Eshtë momenti i duhur për të forcuar bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Athinës, me qëllim për të krijuar një sinergji në rrjetëzim dhe ndërveprim, në dobi të komunitetit të biznesit të dy vendeve”.
I pranishëm ishte dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Sipas tij, partneriteti mes dy vendeve është i rëndësishëm për të forcuar aspiratat e Shqipërisë për integrim europian dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. “Me Greqinë na lidh një histori shumë e gjatë marrëdhëniesh. Greqia është një shkollë shumë e mirë për ne, sidomos në momentin që jemi në prag të çeljes së negociatave”, deklaroi ministri.
Nga ana tjetër, zv/ministri i Jashtëm grek, Konstantinos Fragkogiannis, theksoi se marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Greqisë kanë pësuar një përmirësim të ndjeshëm. Ai megjithatë shtoi se, dy vendet duhet të forcojnë më tej marrëdhëniet në disa sektorë me potencial të lartë zhvillimi.
“Qëllimi i përbashkët është të ndërtojnë ura komunikimi. Ne kemi vënë re një përmirësim të marrëdhënieve tregtare, por duhet të forcojmë më tej marrëdhëniet tona. Duhet të bashkëpunojmë më shumë në sektorin energjetik, në ndërtim, minerale”, tha ai.
Në këtë forum morën pjesë edhe Konstandina Kamitsi, Ambasadore e Greqisë në Shqipëri, dhe Luela Hajdaraga, Ambasadore e Shqipërisë në Greqi. Po ashtu, Vicky Makrygianni, Drejtoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikave Rajonale, “Hellenic Federation of Enterprises”, Retsas Ioannis, Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Strategjik të Tregtisë, “Enterprise Greece”, Elira Kokona, Drejtoreshë Ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve, si dhe Laura Plaku, Drejtoreshë Ekzekutive pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) të cilët njëzëri shprehën besimin se me përpjekje të përbashkëta, mund të arrihen rezultate të rëndësishme për të dyja palët.
Ky forum, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ofroi mundësinë për 100 biznese shqiptare të zhvillonin marrëdhënie biznesi dhe të eksploronin mundësi bashkëpunimi me homologët e tyre grekë. Pjesëmarrësit patën shansin të krijonin kontakte të reja, të ndanin përvoja dhe të identifikonin mundësi të reja investimi dhe tregtie. Kjo iniciativë synon të forcojë lidhjet mes dy vendeve dhe të nxisë rritjen ekonomike për të dyja palët.
(BalkanWeb)