Për zgjedhjet e këtij viti në Shtetet e Bashkuara, janë shpenzuar shifra rekord, me 150 familje miliarderësh që kanë kontribuar rreth 1.9 miliardë dollarë për mbështetje të kandidatëve presidencialë dhe të Kongresit.
Sipas një raporti të ri nga Americans for Tax Fairness, 72% e këtyre fondeve shkuan për republikanët, ndërsa vetëm 22% për demokratët, raporton The Guardian.
David Kass, drejtor ekzekutiv i ATF, tha se shpenzimet e tilla të fushatës “i mbytin zërat dhe shqetësimet e amerikanëve të zakonshëm”.
Ai theksoi se kjo situatë është një pasojë shqetësuese e rritjes së pasurisë së miliarderëve dhe një tregues i qartë se sistemi që rregullon financimin e fushatave është shembur.
Kass përmendi se është e nevojshme të frenojmë fuqinë politike të miliarderëve duke i taksuar më mirë dhe duke kufizuar donacionet e tyre për fushata.
Ai paralajmëroi se pa këto masa, ndikimi i super të pasurve mbi politikën dhe qeverinë do të vazhdojë të përshkallëzohet.