Kryeministri Edi Rama ka vijuar takimet me pensionistët, në kuadër të një bashkëbisedimi me moshën e 3-të.

Nga Korça, Kreu i Qeverisë tha se te pensionet nuk është si te pagat.

“Sot kemi 705 mijë pensionistë, ndërsa në 2013-ën kishte 517 mijë. Në këtë pikëpamje kemi një rritje të fondit për pensionet. Kur ju dëgjoni për rritje pagash duhet të jeni të parët që duhet të gëzoheni, pasi nga një pagë më e lartë, merr një kontribut nga sigurimet shoqërore edhe më të madh. Sot fondi nga 501 mln euro ka arritur në 1.3 mld, pra më shumë se dyfishin”, tha Rama.

Kryeministri tha se jemi në kushtet kur do të nisë rritja e pensioneve. “Më parë ua kemi thënë që pensionet nuk do të rriteshin, por tani është momenti për të rritur pensionet. i kemi indeksuar, por nuk i kemi rritur. Sot mund të flasim për mundësinë e rritjes së pensioneve. Ky vit është një vit me rritje të ardhurash”, tha Rama.

Në vijim, referuar premtimeve të opozitës për pensione 400 apo 1 mijë euro, Rama i quajti si sharlatanë.

“Këta janë maskat e Sudes. Qoftë kur dalin maskat majë malit me tuta, qoftë kur dalin nga kati i 8-të, qoftë kur dalin maskat në ekranet dhe paraqiten si e reja, ato janë Sudja. Ne Suden e kemi një ije që na ndjek nga mbrapa, ndaj s’kemi arritur të bëjmë prokopi. Kemi pasur një çift politik nga njëra anë Suden dhe nga ana tjetër Haxhi Qamilin”, tha Rama.

Në vijim, ai tha se Shqipëria anëtare e BE në 2030, do të thotë që ne të shpëtojmë edhe nga ky çifti Haxhi-Sude. “Hija e Haxhiut po tretet, por Sudja është shumë e pranishme”, tha Rama.

Kryeministri fajësoi skemën e mëparshme, duke thënë se deri në 2013 ishte vendosur një tavan që pensioni mos ishte më i madh se 240 mijë lekë të vjetra, por tashmë kjo ka ndryshuar.

Për mbledhjen e sigurimeve nga pagat në shtet, Rama u shpreh se e kanë më të thjeshtë, por problemi mbetet tek pagat në sektorin privat.

“Problemi është tek pagat në sektorin privat. Ne e kemi gjetur skemën me 520 mijë kontribuues dhe e kemi rritur në 800 mijë kontribuues.

Që do të thotë janë 300 mijë kontribuues më shumë që kemi në skemë. Për këtë arsye skema që financon pensionet që garantonte 510 mln euro në total, sot mbledh 1.3 miliard. Por nuk mjafton sepse për të paguar pensionet na duhen 1.8 miliardë. Midis 1.3 dhe 1.8 është një gjysmë miliardë euro që paguhet nga shteti për të dhënë këto pensione që janë. Ne kemi rritur bonusin e fund vitit”, tha Rama.

Në vijim ai shtoi se trashëgimia në të gjitha fushat ka qenë problematike, por sidomos në fushën e pensioneve ka qenë dramatike.
“Na është dashur kohë e gjatë për të gjithë ju, por jo kohë e gjatë për mënyrën si funksionon sistemi i pensioneve.

Që një skemë pensionesh e ndërtuar keq është kosto e një brezi të tërë. Kjo është botërisht e njohur. Skema e pensioneve që ne trashëguam ishte një skemë skandaloze dhe vetëm për të shtyrë të sotmen, pa menduar për të nesërmen e pensionistëve.

Ishte vendosur një tavan që ishte 24 mijë lekë dhe pavarësisht se cfarë kontributesh kishin dhënë njerëzit nuk merrnin pension më shumë se 24 mijë lekë. Pensioni mesatar në 2013 ishte 105 euro.

Pa folur pastaj për minimalin që ishte një pension që nuk e merrnin të gjithë. Ne gjetëm dhjetëra mijëra pensionistë pa pension fare sepse nuk kishin kontribuar në skemë. Ne bëmë reformën që tavani i atëhershëm të zhbëhet dhe sot të kemi një numër pensionistësh që marrin pension edhe 300 edhe 350 apo 400 mijë lekë.

Nga ana tjetër kemi një pasqyrë diferencimi midis mësuesve psh që kanë dalë në pension para 2014 dhe ata që kanë dalë pas 2014. Ata që kanë dalë pas 2014 marrin pension më të madh se ata që kanë dalë para 2014.

Thonë disa që ju keni 11 vite në qeveri dhe bëni diskutime për të shkuarën? Po po, është e rëndësishme kujt ja beson qeverinë sepse ja cfarë ndodh. Kur e nisëm këtë detyrë e kishim PPP nën 10 mld euro, sot është 24-25 mld euro.

Pra e kemi rritur volumin ekonomik të vendit. Pagat sot janë rritur dhe qoftë në aspekt të rritjes së prodhimit, qoftë në aspekt të pagave ne sot jemi në mesataren e lartë të rajonit. 950 euro është paga mesatare e mësuesit”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb