Autoritetit i Konkurrencës njoftoi të premten se ka vendosur nën monitorim tregtimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës, pas hyrjes në fuqi të vendimit nr. 72 datë 15.04.2024 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Enti Rregullator i Energjisë miratoi në prill të këtij viti çmimet e reja të energjisë për furrat dhe për pastiçeritë dhe ndryshimet hynë në fuqi më 1 maj. Çmimi 7.6 lekë për kilovat vlen vetëm për furrat e bukës, ndërsa për furrat që janë edhe pastiçeri energjia u rrit 9.5 lekë, kurse kur ofrojnë edhe shërbimin si bar kafe, çmimi i aplikuar është 12 lekë.

Autoriteti i Konkurrencës bëri të ditur se, nisur nga informacione mediatike në lidhje me njoftimin e furrave të bukës për rritjen e çmimit të bukës, më datë 1 nëntor ka filluar monitorimin e menjëhershëm në terren për evidentimin e çdo sjelljeje abuzuese në shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.

Autoriteti i Konkurrencës ka kujtuar ndërmarrjet e prodhimit dhe tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.

“Autoritetit i Konkurrencës vendos menjëherë nën monitorim çmimin e prodhimit dhe tregtimit të bukës pas hyrjes në fuqi të vendimit nr. 72  datë 15.04.2024 të Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

Sot në datë 01.11.2024 Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga informacione mediatike në lidhje me njoftimin  e furrave të bukës për rritjen e çmimit të bukës, filloi monitorimin e menjëhershëm në terren për evidentimin e çdo sjelljeje abuzuese në shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të prodhimit dhe tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme”, thuhet në njoftim.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb