Kryeministri Edi Rama dhe Arlind Qori, drejtues i Lëvizja Bashkë, kanë shkëmbyer replika në distancë.
Reagimi i Qorit ka ardhur pasi gjatë një takimi me pensionistët, Edi Rama e cilësoi atë si një “Sude me syze”. Kryeministri ironizo Qorin pak ditë pasi ai thirri një protestë të pensionistëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë.
“Është një sude me gjyslyke që sjell ca pensionistë që dalin në protestë. Dhe vërtetë jam i keqardhur për ata pensionistë sepse dalin të nxitur nga Sudja. Dhe i besojnë kësaj sudja. Një Sude me një maskë me gjyslyke”, tha Rama.
Ndërkohë, Qori në një reagim në rrjetet sociale, shkruan se Kryeministri është detyruar dy herë të më përmendë publikisht.
“Dy herë është detyruar Edi Rama të më përmendë publikisht. Në të dyja rastet pa edukatën e të drejtuarit në emër, por i fiksuar në mënyrë perverse me aftësinë time për të shikuar.
Gjatë protestave studentore të dhjetorit 2018 më drejtohej “Është një qorr…”, duke zgjuar indinjatën e një studenti të verbër që kishte përballë.
Kurse sot më ka quajtur “Sude me gjyslyke”. i digjte atëherë përfshirja ime mes studentëve, i përcëllon sot ndikimi im dhe i Lëvizjes BASHKË te pensionistët.
I gjori! Kujton se do të zgjidhet prapë kryeministër”, shkruan Qori.