Sot në mesditë në Shkodër pritet të zhvillohet një marshim protestë, i thirrur nga opozita, pas masakrës së ndodhur pak ditë më parë, ku tre persona humbën jetën, mes të cilëve edhe një grua, Flutura Basha.
Gazetari i News24, Osman Stafa, tha se sipas kreut demokrat, Sali Berisha, kjo do të jetë një protestë solidariteti, ku janë ftuar jo vetëm qytetarët e Shkodrës, por demokratët nga mbarë Shqipëria.
“Marshim-protesta mund të zhvillohet nga Bashkia drejt pedonales”, tha gazetari Stafa.
Ai u shpreh se shkak për protestën e sotme është krimi i organizuar dhe masakra e ditëve të fundit, e cila i morri jetën edhe gruas së pafajshme, e cila nuk kishte lidhje fare me personat që ndodheshin në automjetin ndaj të cilit u qëllua me breshëri automatike.
Si pasojë e të shtënave humbën jetën Arlind Bushati dhe Hamza Lici. Ndërkohë bashkëshorti i qytetares Flutura Basha, që humbi jetën, Bashkim Basha, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.
“Një protestë ku do të mblidhen qytetarët dhe opozitarët kundër krimit dhe së keqes, sikundër kanë deklaruar drejtuesit e PD-së”, tha gazetari Stafa në lidhje direkte nga Shkodra për News24.
Ngjarja ku humbën jetën 3 persona dhe një i katërt ndodhet në spitalin Rajonal në gjendje të rëndë shëndetësore, po hetohet nga Policia e Shtetit, e cila ende nuk ka një pistë zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë, apo persona të dyshuar si autorë të krimit.
Nga raportimet dyshohet se në krimin e rëndë kanë marrë pjesë 3 persona, dy prej të cilëve kanë pasur rolin e qitësit, ndërsa i treti ishte drejtues i automjetit Range Rover, që u gjet i djegur 10 minuta pas ngjarjes.
Ndaj automjetit ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati u qëllua me breshëri kallashnikovi. Lici ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa Bushati disa orë më pas në spitalin e Shkodrës. Në momentin që është qëlluar ndaj automjetit ku drejtues ishte Lici, ky i fundit ka humbur kontrollin, dhe për pasojë ka goditur çiftin e bashkëshortëve që udhëtonin me një motor. Si pasojë e goditjes, humbi jetën në vendin e ngjarjes Flutura Basha dhe mbeti i plagosur rëndë bashkëshorti i saj.