Demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump do të jenë sot në Karolinën e Veriut në një përpjekje për të siguruar mbështetje në shtetin fushëbetejë, ndërsa amerikanët i ndajnë vetëm tre ditë nga zgjedhjet presidenciale.
Kjo do të jetë dita e katërt me radhë që Nënpresidentja Harris dhe ish-Presidenti Trump vizitojnë të njëjtin shtet, në të njëjtën ditë, duke nënvizuar rëndësinë kritike të shtatë shteteve fushëbetejë, që kanë të ngjarë të jenë përcaktues për fatin e zgjedhjeve. Sondazhet tregojnë se në këto shtete, mbështetja për ta është pothuajse e barabartë.
Më shumë se 70 milionë amerikanë kanë votuar tashmë, sipas Laboratorit Zgjedhor në Universitetin e Floridës, më pak sesa shifrat rekord të shënuara në votimin e hershëm në vitin 2020 gjatë pandemisë së COVID-19, por gjithsesi tregues i një niveli të lartë të entuziazmit mes votuesve.
E shtuna shënon ditën e fundit të votimit të hershëm në Karolinën e Veriut, ku deri tani janë hedhur mbi 3.8 milionë vota. Zgjedhjet po mbahen ndërsa pjesa perëndimore e shtetit vazhdon ende me përpjekjet për t’u rimëkëmbur pas përmbytjeve vdekjeprurëse të shkaktuara nga uragani Helene.
Zonja Harris planifikon të paraqitet krah yllit të muzikës rrok Jon Bon Jovi në Charlotte, qyteti më i madh i Karolinës së Veriut, që sikurse Xhorxhia ka 16 vota elektorale, dhe renditen në vendin e dytë për nga numri i tyre, mes 7 shteteve fushëbetejë. Që një kandidat të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale duhet të që të sigurojë të paktën 270 vota elektorale nga 538 gjithësej.
Karolina e Veriut mbështeti zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020, por në të njëjtën ditë zgjodhi një guvernator demokrat, duke u dhënë shpresë të dyja palëve.
“Ne kemi një mundësi në këto zgjedhje për të kthyer faqen e një dekade me Donald Trump-in, i cili ka shpenzuar gjithë kohën e tij duke u përpjekur që amerikanët t’i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit”, tha zonja Harris në një tubim në Janesville të shtetit Uiskonsin, të premten.
Zoti Trump do të mbajë një takim elektoral në Gastonia, në perëndim të Charlotte në mesditë, përpara se të flasë në mbrëmje në arenën “First Horizon Coliseum”, me një kapacitet prej 22 mijë vendesh në qytetin Greensboro.