Skuadra e Dukagjinit arriti  fitore të rëndësishme si mysafir ndaj Gjilanit, me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së 12-të të AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Gjilan solli lojë interesante dhe emocione të mëdha deri në fund, e ku ekipi i drejtuar nga trajneri Ismet Munishi u tregua i suksesshëm.

Dukagjini e nisi fuqishëm ndeshjen dhe arriti të kalojë në epërsi që në minutën e 5-të, kur Mërgim Pefqeli realizoi nga afërsia pasi pranoi një top nga gjysmëfusha. Ndërkohë, në minutën e 41-të, Hekuran Berisha shënoi për 2:0.

Në pjesën e dytë, Gjilani intensifikoi sulmet dhe u përpoq të rikthehej në lojë. Megjithatë, nuk arriti të ndryshojë epilogun, duke u mjaftuar me një gol nga pika e bardhë në minutën e 83-të, të cilin e realizoi Senad Jarovic.

Dukagjini tani renditet në vendin e tetë me 14 pikë, ndërsa Gjilani, zbret në pozitën e parafundit me 13 pikë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb