Ish-presidenti Bamir Topi, u shpreh se në Shqipëri duhej rotacion politik, pasi janë politikanë t vjetër ato që nuk lejojnë “lëvizshmërinë”.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 të gazetares Nisida Tufa, ai u shpreh se sheh që mazhoranca dhe pjesë të opozitës janë bashkë dhe i kanë ndarë mes tyre rolet.
“Në Shqipëri duhej rotacion i elitave politike që kanë krijua shumë situata traumatike në vend, që janë kalcifikuar.
Duket si një ligament kalcifikohet dhe nuk lejon lëvizjen.
Pra duket se pavarësisht retorikave politike, herë pas here këta aktorë kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Jam i bindur se i kanë caktuar detyrat dhe rolet e secilit, sepse ata e dinë shumë mirë se çfarë thonë sondazhet.
Dikush dëshiron të sigurojë pushtetin, dikush opozitën, sepse janë disa parti që garojnë edhe për opozitën”, u shpreh ai.
Ai theksoi edhe nevojën që ka në politikë krijimi i partive të reja dhe hyrja e tyre në jetën politike.
“Kjo është këneta ku rriten mikrobet dhe shpërthen epidemia. Kjo kënetë do burime uji, ndryshe do të kalojnë vitet dhe do flasim në të njejtën mënyrë”, u shpreh ai.