Të paktën nëntë persona vdiqën gjatë natës për shkak të shpërthimeve të njëpasnjëshme të vullkanit të malit Lewotobi Laki-Laki në Indonezinë lindore, thanë sot autoritetet, duke urdhëruar banorët e fshatrave aty pranë që të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

“Sipas autoriteteve lokale, gjashtë vdekje janë konfirmuar”, tha fillimisht për televizionin Kompas, Abdul Muhari, zëdhënës i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të Indonezisë (BNPB).

Pak më vonë Hieronymos Lamauran, një zyrtar në rajonin e Flores Lindore, foli për të paktën nëntë të vdekur, duke sqaruar se shpërthimet vullkanike, pas të cilave llava, hiri, shkëmbinjtë e nxehtë dhe gazrat toksikë u lëshuan nga krateri, kanë prekur shtatë fshatra deri tani.

Vullkani Leotobi Laki-Laki në ishullin Flores, i cili vlerësohet shumë nga turistët e huaj, shpërtheu gjatë natës. Në materialin vizual të marrë nga AFP, fshatrat pranë malit të vullkanit tregohen se janë mbuluar nga një shtresë e trashë hiri vullkanik dhe në disa vende edhe në zjarr.

Agjencia kombëtare e vullkanologjisë e Indonezisë ngriti nivelin e alarmit në maksimum në zonë dhe u bëri thirrje banorëve dhe turistëve të mos angazhohen në asnjë aktivitet brenda një rrezeje prej të paktën shtatë kilometrash rreth kraterit.
Ka një “rritje të madhe të aktivitetit vullkanik” në malin Lewotobi Laki-Laki shpjegoi agjencia në një buletin paralajmërues të lëshuar sot.

Aktiviteti u intensifikua nga dje në orën 23:57 me orën lokale.
Disa shpërthime vullkanike janë regjistruar këtu edhe në muajin janar, duke i detyruar autoritetet të shpallnin situatë emergjence dhe të evakuonin më shumë se 2000 banorë.

Në arkipelagun e gjerë indonezian, është regjistruar një aktivitet i shpeshtë dhe intensiv vullkanik dhe sizmik për shkak të vendndodhjes së tij gjeografike, mbi të ashtuquajturën “unaza e zjarrit” në Oqeanin Paqësor.

Më 11 maj, përmbytjet dhe rrëshqitjet e llavës së ftohtë nga mali Marapi në ishullin Sumatra në Indonezinë perëndimore vranë më shumë se 60 njerëz dhe detyruan autoritetet të evakuojnë mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb