Në ditën kur Atalanta ndali vrullin e Napolit, Inter del me 3 pikë nga sfida përballë Venezia-s duke iu afruar me vetëm 1 pikë kreut, por ekipi i Simone Inzaghi-t vuajti jashtëzakonisht shumë, Sommer dhe VAR shpëtuan zikaltërit në “San Siro”. Sigurisht, Inter ishte më dominues, kishin kontrollin e lojës dhe krijuan më shumë raste, por Venezia nuk qëndroi në heshtje, madje iu afruan golit në disa momente, por Sommer ishte i pakalueshëm. Thuram dhe Mkhitaryan bën gjithçka për të zhbllokuar sfidën, por pa sukses.
Si gjithnjë për të zgjidhur “hallet” e Inter mendoi kapiteni, ku në minutën e 65-të, i shërbyer në zonë në mënyrë perfekte nga Dimarco. Martinez e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Inter nuk arriti të “vriste” ndeshjen, ndërsa fundi i takimit prodhoi një rast të fortë për moviolë, me Venezia-n që gjeti golin e barazimit në minutën e 97-të, por gjyqtarja e takimit me ndihmën e sistemit VAR anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë duke lënë në fuqi fitoren e Inter.
“Kreu është më pranë. Argjentinasi vendos, por sa vuajnë. Venezias i anulohet goli i barazimit në minutën e 97-të”, shkruan La Gazzetta dello Sport.
Në përfundim të ndeshjes, Simone Inzaghi analizoi këtë takim, ndërsa u ndal edhe tek sfida e së dielës kundër Napolit: “Ne e njohim Serie A, të gjithë ndeshjet janë të vështira. Tek ai episod kishe jo vetëm prekje të topit me dorë, por dhe një shtyrje ndaj Bisseck. Nuk mund të shkosh në 7-të minuta shtesë me një gol avantazh, duhet të jemi cinik. Napoli? Nuk do të jetë përcaktuese, por do të jetë e rëndësishme. Në pak ditë duhet të bëjmë llogaritë kundër një prej ekipeve më të forta në Evropë, Arsenal, duhet të mendohem mirë”. Pas javës së 11-të, Inter renditet në vendin e dytë me 24 pikë, një më pak se Napoli kryesues.
(BalkanWeb)