Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e konsideroi sot integrimin në Bashkimin Europian, objektivin strategjik kombëtar më të rëndësishëm. Gjatë ceremonisë hapëse të edicionit të 9-të të Shkollës së Integrimit Europian, Spiropali u shpreh se si i tillë, integrimi europian është prioritet absolut edhe i Kuvendit të Shqipërisë.
Për kryetaren e Kuvendit, “Europa nuk është thjesht një zgjidhje, por Europa për ne është e vetmja zgjedhje që duam dhe na duhet”.
“Sa herë shqiptarët kanë qenë të lirë kanë zgjedhur Europën. Askush nuk e dinte dhe parashikoi se gjatë këtij rrugëtimi të përbashkkët secili në destinacion të vet, ndryshoi edhe Europa si destinacion, edhe Shqipëria si udhëtar. Zig-zaget tona, sherret e brendshme në luftën për pushtet, padija dhe papjekuria demokratike gjatë tranzicionit, na e bën edhe më të ndërlikuar e të përpjetë zig-zagun e rrugës sonë europiane. Ne që nuk bien dakord mes nesh edhe për datën në kalendar, bëhemi bashkë në një pikë. Me shqiptarin e zakonshëm por edhe me politikanin pavarësisht krahëve politike bëhesh hasëm nëse i flet kundër Europës”, tha Spiropali.
Spiropali theksoi se pavarësisht ndryshimeve dhe armiqësive të pafundme që prodhon nervi i politikës së ditës në vend, integrimi europian i Shqipërisë është objektivi ynë strategjik kombëtar më i rëndësishëm”.
“Konferenca e dytë ndërqeveritare e 15 tetorit me çeljen e grupkapitujve “Themeloret” dhe raporti i progresit 2024, janë dy stacione domethënëse të stadit ku ka mbërritur ky proces”, shtoi ajo.
Spiropali nënvizoi se “ne jemi të vetëdijshëm që procesi i negociatave dhe anëtarësimi më tej në BE do të mbështesë më tej demokratizimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.
“Po ashtu do të nxisë konsolidimin e institucioneve publike dhe vazhdimin e proceseve reformuese duke shpejtuar zhvillimin ekonomik dhe përqasjen me nivelet më të mira europiane të mirëqenies dhe gjithëpërfshirjes sociale”, tha ajo.
Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, sipas Spiropalit, paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë.
“Ky plan synon të forcojë zhvillimin ekonomik, të ndërtojë infrastrukturën lidhëse kombëtare dhe rajonale dhe do të ndihmojë në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin tonë në tregun e vetëm në BE”, tha ajo.
(BalkanWeb)