Në Bruksel, Komisioni Evropian ka ulur flamujt në gjysmështizë.
“Mendimet tona janë me viktimat e përmbytjeve në Spanjë, familjet e tyre dhe ekipet e shpëtimit”, thuhet në një postim të Komisionit Evropian në X.
“Përmbytjet në Spanjë nuk janë vetëm një tragjedi kombëtare, por edhe evropiane”, shton postimi.
Kushtet ekstreme të motit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në Evropë dhe meteorologët besojnë se ngrohja e Mesdheut, e cila rrit avullimin e ujit, kontribuon në intensifikimin e shirave të dendur.
Bëhet e ditur se presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka deklaruar se Evropa mban zi për të gjithë ata që humbën jetën gjatë përmbytjeve tragjike.
Ndryshe, kjo është përmbytja më vdekjeprurëse në Spanjë që nga viti 1996, kur 87 njerëz vdiqën në rajonin malor të Pirenejve, dhe i kalon përmbytjet evropiane të vitit 2021 në Gjermani, të cilat lanë të vdekur të paktën 185 njerëz.