Rafael Leao është duke kaluar momentin më të keq në karrierën e tij. Një sezon me ulje ngritje për portugezin, që ka bërë që ai ta shoh shpesh herë në javët e fundit në stol. Një lojtar që udhëhoqi Milanin e Stefano Piolit për titullin e 19, 3 sezone më parë, por sot ai të ngjason me një tjetër futbollist.
Forma e tij negative ka ndikuar edhe në prishjen e raporteve mes tij dhe tifozerisë kuqezi, me ultrasit e Milanit që madje shpesh herë nuk i kanë kursyer as vërshëllimat në drejtim të portugezit.
Megjithatë të martën në mbrëmje luhet Real Madrid-Milan, një klasike e vërtet e futbollit evropian, mes dy prej skuadrave më të titulluara të kontinentit. Leao do të jetë titullar në këtë sfidë sipas Fonsecës. Një mundësi shumë e mirë, për të lënë gjurmë në këtë ndeshje “luksi”, por dhe një përgjegjësi tepër e madhe, për Leaon, që numrat i ka në disfavor këtë sezon. 1 gol i realizuar në 27 goditje drejt portës, shifra alarmante që konfirmojnë se deri më tani, ai është hija e vetvetes.
Në ndihmë të shokut të tij të skuadrës ka dal edhe sulmuesi i kuqezinjve spanjolli Alvaro Morata. Ai ka qenë shpesh herë gjatë karrierës së tij në kushtet ku ndodhet portugezi Leao sot, ndaj në një intervistë të lëshuar për “The Athletic”, thekson se ky është vetëm një moment negativ që do të kalojë për shokun e tij të skuadrës, tek i cili në fakt sipas Moratës e gjithë skuadra dhe stafi i Milanit beson në cilësitë e lojtarit pa më të voglin dyshim.