Numri një i stolit të Real Madrid, Carlo Ancelotti, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjes ndaj Milanit në Champions.
“Do të jetë një ndeshje e speciale, për shkak të së kaluarës sime. Do të jetë një ndeshje shumë e mirë mendoj. Milani nuk e ka nisur mirë, por janë një ekip shumë i rrezikshëm që kanë një cilësi të madhe. Kanë potencial të madh, të cilin ende nuk e kanë shfaqur. Ne duhet të përpiqemi të përshtatim lojën tonë me karakteristikat e lojtarëve tanë.
Topi i Artë? I përket të kaluarës, unë fitova më 1 qershor me Champions League. Fatmirësisht ne patëm kohë për t’u përgatitur për ndeshjen dhe Vinicius është mirë. Ai është i trishtuar si të gjithë ne, por jo për Topin e Artë, por për tragjedinë në Valencia.
Jemi të trishtuar për atë që ndodhi në Spanjë. E gjithë bota e futbollit ishte e qartë dhe nuk donim të luanim. Megjithatë, ne duhet të respektojmë atë që na kërkohet të bëjmë.
Futbolli është festë dhe nuk mund të festosh nëse njerëzit rreth teje nuk janë mirë. Për mua ne duhet të mos luajmë, por nuk jemi komandantët dhe për këtë arsye ne përshtatemi. Nuk kemi fjalë për këtë. Fuqia jonë është zero”, – tha ai.