Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i është drejtuar sot me një shkresë kryetares së parlamentit Elisa Spiropali, duke i kërkuar që të mbledhë Këshillin për Rregulloren në lidhje me mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.

Në shkresën drejtuar kryetares së Kuvendit, Bardhi deklaron se 1/10 e deputetëve e kanë kërkuar ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit të PS Vullnet Sinaj, si dhe për të dërguar një mocion në Gjykatën Kushtetuese.

Bardhi shprehet se është penguar vijimi i procedurës parlamentare dhe dërgimi i çështjes në Kushtetuese, pasi më datë 18 shtator 2024, kryetarja e Kuvendit nuk ka thirrur më mbledhje të Këshillit të Rregullores.

“Ky pengim i Kryetares së Kuvendit është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, dhe gjithashtu një cënim flagrant i të drejtës kushtetuese të 1/10 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Në këto kushte, në përputhje me nenet 70, pika 4, të Kushtetutës dhe nenit 13 e 119/1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkojmë: (i) Të thërrisni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet për vijimin e shqyrtimit të mocionit të paraqitur nga subjekti kushtetues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit; si dhe (ii) Përfshirjen në Rendin e Ditës së një prej seancave më të para të Kuvendit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”, thuhet në letrën e Bardhit.

Partia Demokratike ka bërë kërkesë për heqje të mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. PD pretendon se Sinaj ka përfituar tendera publikë për kompanitë e tij private, edhe pse Kushtetuta e ndalon deputetin që të përfitojë para publike. Ndaj, opozita kërkon që parlamenti të votojë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të deputetit Sinaj dhe gjykata të vendosë nëse deputeti i PS ka shkelur ose jo Kushtetutën.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb