Koordinatorja për Departamentet në PD, Silvi Bardhi ka deklaruar se drejtësia po ushtron presion ndaj gazetarëve. Gjatë një deklarate për media, Bardhi iu referua thirrjes së gazetarit Elton Qyno në SPAK i cili është marrë në pyetje për të dytën herë lidhur me publikimet e bisedave të krimit në Sky Ecc. Bardhi tha se PD-ja kërkon që SPAK dhe BKH të merren me ndjekjen dhe arrestimin e kriminelëve dhe të pushojnë të trajtuari si kriminelë profesionistët e medias dhe politikanët e opozitës.

Deklarata

Gazetari Elton Qyno është thirrur sërish në SPAK, ku i është bërë trysni për të zbuluar burimet, për të dytën herë, edhe pse kundër kësaj ka 2 vendime pezullimi nga Komisioni Ndërgjyqësor i të Drejtave të Njeriut në OKB.

Partia Demokratike dënon me forcë presionin e ushtruar ndaj gazetarit, dhe kërkon që SPAK dhe BKH të merren me ndjekjen dhe arrestimin e kriminelëve dhe të pushojnë të trajtuari si kriminelë profesionistët e medias dhe politikanët e opozitës.

Pak ditë pas masakrës me katër të vrarë në Shkodër, një qytet ku njerëzit e drejtësisë dhe policisë bashkëpunojnë hapur me narkobandat, fakte që kanë dalë pas zbardhjes së bisedave në Sky dhe Encrochat, në vend që SPAK të merret intensivisht me këtë ngjarje përpiqet të frikësojë gazetarët.

Guximi i BKH dhe SPAK për të shpërfillur vendimet e organizmave ndërkombëtarë, që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe gazetarët, është paralajmërimi i qartë i krijimit të një republike prokuroriale, ku ligjin e marrin në dorë dhe e përdorin sipas tekave ata që duhej të ishin mbrojtësit e tij.

Zelli militantesk kundër gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë të qeverisë dëshmon se për kë punon ‘drejtësia e re’.

Partia Demokratike nuk do ta lejojë terrorin kundër gazetarëve dhe presionin kundër opozitarëve.

Kërkesa për një Komision parlamentar të së Vërtetës do të përfshijë edhe hulumtimin e lidhjeve të njerëzve të drejtësisë me krimin dhe veglat e tyre.

Ka ikur koha kur prokurorët e regjimit pushkatonin pa gjyq shqiptarët e lirë dhe kundërshtarët politikë. Ëndrra për t’i kthyer ato kohë që rri zgjuar në kokën e Ramës dhe të të padermanëve të tij, është vrarë një herë e mirë në dhjetor 90.

Çdo përpjekje për ta ringjallur është llogari e bërë gabim.

Populli mund të ndalohet vetëm njëherë për t’u futur në bllokun e udhëheqjes.

Herën e dytë ai shkallmon çdo pritë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb