Ledion Krisafi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka dhënë një vlerësim mbi situatën politike në Shtetet e Bashkuara, një ditë para zgjedhjeve presidenciale. Duke folur në studion e News24, Krisafi theksoi mundësitë e një skenari të përsëritur si ai i 6 janarit 2021, nëse Donald Trump nuk pranon rezultatin në rast humbjeje.
Krisafi shprehu shqetësimin se mundësia që Trump të mos njohë rezultatin është e madhe në rast humbjeje, duke e cilësuar këtë si një moment kritik për të dhe mbështetësit e tij. Ai parashikoi se, nëse ndodh një përplasje, ajo do të jetë më e ashpër se ajo e mëparshmja, pasi kjo do të jetë hera e fundit për Trumpin për të aspiruar presidencën.
“Duke qenë se shumë emigrantë ilegalë po fitojnë të drejtën e votës, retorika e mbështetësve të Trump është bërë më e ashpër,” tha Krisafi. Ai theksoi se një mospranimi i rezultatit mund të çojë në një rebelim të madh, edhe pse nuk do të ishte e mundur të flitej për një luftë civile të plotë.
Në analizën e tij, Krisafi u fokusua në faktorët që mund të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve, duke përmendur se sondazhet janë brenda marzhit të gabimit.
“Michigan dhe Pennsylvania do të luajnë një rol vendimtar, sidomos Pennsylvania,” tha ai, duke theksuar se Trump përfaqëson një fenomen të veçantë në politikën amerikane. Krisafi nënvizoi se Trump ka arritur të lidhet me votuesin amerikan në një mënyrë pragmatike, duke u paraqitur si mbrojtës i interesave të shtresës së mesme.