Vijon përplasja mes qeverisë Meloni dhe gjyqësorit, si në nivel kombëtar ashtu edhe në komunitar, me Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, e cila në javët në vijim do të thirret të shprehë opinionin e saj për dekretin e “Vendeve të Sigurta” , të miratuar me nxitim nga ekzekutivi.
Në orët në të cilat disa emigrantë u mblodhën në jug të Lampedusa nga anija Libra e Marinës për t’u transferuar në Shqipëri, gjykatat e Romës dhe Katanias vendosën masa të reja që mund të minonin punën e ekzekutivit.
Kryeministrja Giorgia Meloni po përpiqet në çdo mënyrë të shmangë rrëzimin e marrëveshjeve me Tiranën, një dështim që mund t’i kushtojë Italisë rreth një miliardë euro. Për ta bërë këtë, ajo u përpoq të vendoste me ligj listën e vendeve të konsideruara të sigurta nga Italia, por nuk është e sigurtë se përpjekja do të jetë e suksesshme. Ankesat në Gjykatën e Auditorëve të paraqitura nga Italia Viva dhe Movimento 5 Stelle rëndojnë edhe mbi të ashtuquajturin “modeli i Shqipërisë”, duke akuzuar qeverinë se i ka shkaktuar dëm thesarit për mbi 250 mijë euro që shpenxoi shteti për transferimin dhe më pas kthimin e 14 emigrantëve në Itali.
Ndalesa e parë erdhi sot nga Gjykata e Katanias, me një dispozitë që nuk vërtetonte ndalimin e urdhëruar nga komisari i policisë së Raguzës për një emigrant të ardhur nga Egjipti, i cili kërkoi statusin e refugjatit në Pozzallo. “Një listë e vendeve të sigurta – thuhet në dokument – nuk e përjashton gjyqtarin nga detyrimi për të verifikuar përputhshmërinë e këtij përcaktimi me ligjin e Bashkimit Evropian. Dhe në Egjipt ka shkelje serioze të të drejtave të njeriut që “ndikojnë liritë e një shteti demokratik”.
“Është vendimi i parë i këtij lloji pas dekretligjit për vendet e sigurta”, komentoi avokatja e emigrantit, Rosa Emanuela Lo Faro.
Një tjetër ndalesë erdhi nga Gjykata e Romës, e cila pranoi ankesën e një prej 12 emigrantëve të parë që ishin transferuar në Shqipëri: burri kishte kundërshtuar vendimin territorial që i kishte mohuar azilin: çështja e tij do të jetë gjithashtu nën shqyrtim nga Gjykata e Drejtësisë së BE.
Vendimi i gjyqtarëve të Katanias dhe Romës është në përputhje me iniciativën e kolegëve të tyre nga seksioni i imigracionit në Gjykatën e Bolonjës, të cilët, duke kundërshtuar dekretin e qeverisë në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, shpjeguan se mbrojtja ndërkombëtare duhet të sigurohet për të gjithë njerëzit që vijnë nga vendet ku janë të diskriminuar sepse i përkasin komunitetit LGBTQI+, janë viktima të dhunës gjinore, janë pjesë e pakicave etnike dhe fetare ose janë të zhvendosur nga klima. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha se për fajin e disa gjyqtarëve komunistë që nuk zbatojnë ligjet vendi i pasigurt tani është Italia. Por ne nuk dorëzohemi”.
(BalkanWeb)