Prokuroria e Posaçme ka shpallur sot pretencën ish-shoferin e Ardi Veliut, Sokol Idrizajn e familjarët e tij dhe të pandehurve të tjerë të akuzuar për vjedhjen dhe trafikimin e sendeve me vlerë të çmuar nga Franca në Shqipëri.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se dënimi me 12 vite burg është kërkuar për Agustin Mesulin, Altin Dodën, Sokol Idrizajn dhe Elda Idrizaj, burrë e grua. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, për këta persona dënimi ulet në 8 vjet.

Ndërkohë për Florian Bakun dhe Egi Idrizajn, vajza e Sokol Idrizajt, është kërkuar 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me 6 vite e 8 muaj.

Për Bora Idrizaj, vajza tjetër e Sokol Idrizajt, SPAK ka kërkuar 6 vite heqje lirie dhe me gjykim të shkurtuar zbret në 5 vite dhe kusht për 5 vite. Bora Idrizaj është studente në Francë. Gjithashtu, SPAK ka kërkuar edhe 6 vite burg për Vangjush Kasharen dhe Tomor Barutin, por me gjykim të shkurtuar dënimi shkon në 4 vite dhe pa kusht.

Prokuroria e Posaçme SPAK nisi një hetim ndaj ish-shoferit të Ardi Veliut dhe grupit të të tjerëve për trafikimin e sendeve me vlerë që dërgoheshin përmes çantave nga Franca në drejtim të Shqipërisë. Sendet me vlerë ishin diamante, bizhuteri floriri dhe madje dhe para cash përmes Portit të Durrësit.

Informacionet e mbërritura nga drejtësia franceze çuan në hetim edhe shoferin personal të Ardi Veliut, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ushtroi kontrolle në banesën e Sokol Idrizaj, për të gjetur sende me vlerë apo çdo provë që mund ta implikonte në këtë veprimtari kriminale. SPAK njoftoi në qershor të vitit të kaluar se nga hetimet paraprake të kryer në territorin francez nga autoritetet gjyqësore të këtij vendi, është mundur të evidentohet veprimtaria kriminale e kryer nga këta shtetas me origjinë shqiptare, të cilët dyshohet se vidhnin sende të ndryshme dhe pastronin të ardhurat që rridhnin nga to brenda territorit francez dhe më pas atij shqiptar.

***

Pjesë nga dosja hetimore
…Personat nën hetim, në bashkëpunim me anëtarët e grupit të parë, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale duke transportuar shuma monetare në sasi të madhe, dhe të padeklaruara nga Shqipëria-Francë. Këto shuma të përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër prej 724,386 euro, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, pa përfshirë këtu shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme që kapin vlerën e 2.113.000 Euro dhe 35.000 Franga. Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara (flori). Produktet e luksit të blera në territorin francez nga këta shtetas janë transportuar në Shqipëri nga vetë ata si dhe bashkëpunëtorët e tyre nëpërmjet kompanive të transportit Francë-Shqipëri. Këto sende më pas janë futur kontrabandë në territorin shqiptar, të cilët janë shitur tek persona të ndryshëm duke fshehur njëkohësisht edhe të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Gjithashtu, në kuadër të aktivitetit të paligjshëm kriminal rezulton se personat nën hetim si dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin mbështetjen dhe përkrahjen e disa punonjësve të policisë dhe doganës të planizuar me shërbim pranë PKK Port-Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:

1 armë zjarri tip Pistoletë;

65.300 Euro;

9.900 USD kanadez;

60 ora dore (Hamilton, Omega, Rolex, Baume & Mercier, Cartier, Breitling, Hublot Geneve, Edifice etj);

1 (një) Aparat Fotografik;

9 Laptopë;

7 I-Pad;

3 Tablet;

28 Aparatë celularë;

2 kompjuter;

33 copë Bizhu;

2 monedha ari;

Sasi e konsiderueshme syze dielli të markave të ndryshme luksoze (DG, Louis Vuitton, Ray Ban, Giorgio Armani, Versace);

Sasi e konsiderueshme parfume dhe kremrash (Versace Dylon Blue, Dolce Gabbana, Hermes, Avon Glamour, Asabi; Channel Blue; Armani “Si”, Louis Vuitton; etj;

1 stilolaps Cartier;

2 Stilograf;

Karta të ndryshme bankare;

Veshje të markave të ndryshme si Dior, Christian Louboutin, Christian Dior, Hermes, Moncleir, Balenciaga, si edhe Canta apo Këpucë të firmave prestigjoze;

Autoritete Franceze të Drejtësisë kanë arrestuar 13 persona (në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore).

Gjatë kontrollit të ushtruar nga autoritetet franceze janë sekuestruar:

215 569 Euro;

115 copë Bizhu të ndryshme;

50 orë dore të markave të ndryshme luksoze etj;

Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 12 masa sigurimi personal për personat nën hetim:

–A. M., A. D., F. B., S. I., El. I., Eg. I,. B. I., D. S., V. K., T. B., G.A., A. Sh.,

Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për bashkëpunëtorët e personave të arrestuar, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb